Postuar më: 26/01/2018

Ministri Klosi prezanton Planin Kombëtar të Gjelbërimit në 95 -vjetorin e Shërbimit Pyjor Shqiptar (26 janar)

Në 95 -vjetorin e themelimit të Shërbimit Pyjor Shqiptar, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Z.
Blendi Klosi lancoi Planit Kombëtar të Gjelbërimit të Shqipërisë. Pasi përshëndeti dhe
vlerësoi punën e qindra veteranëve dhe inxhinierëve të pyjeve ndër vite ministri Klosi tha
se prej ditës së sotme do të fillonte zbatimin e mbjelljes së 20 milionë e 200 mijë pemëve
deri në vitin 2020 si një përpjekje për të zhbërë dëmin e 27 viteve të fundit. “Në shenjë
vlerësimi për profesionin dhe misionin tuaj, përvjetori i themelimit të shërbimit pyjor, ishte
dita më simbolike nga ku mund të lançonim shpalljen e Planit Kombëtar të Gjelbërimit të
Shqipërisë. 20 milion e 200 mijë pemë është angazhimi për t’u përmbyllur deri në 2020”.
Më tej ministri Klosi prezantoi në detaje zbatimin e Planit duke vënë theksin në detyrimet e
biznesit. “Nga inspektimi i deritanishëm i bizneseve, rezulton që duhet t’i kthejnë mjedisit
shqiptar plot 6 milion e 700 mijë pemë. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë amnisti.
Kompanitë, sipërmarrjet që kanë fituar duke dëmtuar mjedisin dhe që nuk e kanë shlyer
këtë dëm, do t’i kthehen zë për zë, zbatimit të asaj kontrate që kanë me shtetin shqiptar,
pra lejen mjedisore që i detyron të mbjellin pemë.”- tha ministri Klosi.
Një tjetër linjë e zbatimit të Planit Kombëtar për Gjelbërimin e Shqipërisë do të realizohet
nëpërmjet bashkëpunimit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me Ministrinë e
Bujqësisë.”Kemi konkretizuar me Ministrinë e Bujqësisë, Manualin e Procedurës së

Granteve, të orientuar tërësisht nga pyllëzimi si dhe kemi konkluduar që skemat e
financimit për fermerët privatë të shkojnë për krijimin dhe zgjerimin e plantacioneve me
ullishta dhe mbjelljen e druve frutorë”, – tha ministri Klosi duke shtuar se në sajë të projektit
të shërbimeve mjedisore krahas mbjelljes së pemëve do të vijojë edhe me hartimin e Inventarit
Kombëtar të Pyjeve edhe regjistrimin e Fondit pyjor e kullosor
Kreu i Turizmit dhe Mjedisit tha gjithashtu se pjesë e planit kombëtar do të jenë edhe nismat për
Kurorat e gjelbra të Shkollave, bashkë me kurorat e gjelbra të qyteteve që çdo bashki në mbarë
vendin duhet të krijojë. Në fund të fjalës së tij, ministri Klosi lançoi edhe aksionin e madh
kombëtar të mbjelljes së 550 mijë pemëve. “Koha më e mirë për të mbjellë pemë ishte para
20 vjetësh. Koha e dytë më e mirë është tani. Thënë këtë, unë dua të lançoj nga këtu fillimin
e zbatimit të këtij plani kombëtar. Pas aksioneve të deritanishme në qarqe, mesi i shkurtit
do të shënojë fillimin e aksioneve kombëtare të përvitshme të gjelbërimit. Në 550 vjetorin e
Skënderbeut, në tre ditët e mesit të shkurtit do të mbjellim 550 mijë pemë”- mbylli fjalën e
tij ministri Klosi.
E pranishme në këtë aktivitet ZvKryeministrja Znj. Senida Mesi, nënvizoi faktin se kjo është një
datë historike dhe me simbolikë të veçantë, e cila duhet t’i shërbejë çdo aktori të shoqërisë për të
reflektuar më thellë. "Ky reflektim, shkon paralel gjithashtu edhe me planin ambicioz të
Qeverisë Shqiptare për realizimin e mbjelljes së 20 milion e 200 mijë pemëve deri në vitin
2020-të, duke e shndërruar në një aksion me pjesëmarrje të gjerë në shkallë kombëtare, i
cili do të përkthehet pa diskutim në një kontribut të qenësishëm"- tha ndër të tjera Znj. Mesi.
Nga ana e tij, Zvministri i Bujqësisë Dhimo Kote garantoi mbështetjen e plotë të ministrisë së
Bujqësisë në zbatimin e plotë të planit për mbjelljen e 20 milionë e 200 mijë pemëve deri në vitin
2020.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ambasadori i Suedisë në Tiranë, z. Johan Ndisi i cili në
fjalën e tij, tregoi eksperiencën e vendit të tij që falë politikave mjedisore ia doli të ketë pyjet dhe
mjedisin e ditëve të sotme .
Në fund të takimit u vlerësuan me çertifikata mirënjohjeje disa prej veteranëve të shërbimit
pyjor, inxhinerë dhe akademikë të cilët për vite të tëra kanë dhënë kontributin e tyre të vyer në
shtimin dhe mbrojtjen e pyjeve. Teksa vlerësoheshin për këtë mirënjohje, mesazhi i tyre shkonte
në mbështetje të Planit Kombëtar të Gjelbërimit të Shqipërisë dhe në ruatjen e kësaj pasurie të
çmuar të vendit tonë.

Të rejat e fundit