Postuar më: 01/02/2018

Klosi: Thjeshtimi i dokumentave, ul korrupsionin dhe burokracinë (1 shkurt)

1 400 dokumenta në vit, reduktohen nga raporti i komunitetit me shtetin në fushën e turizmit
dhe mjedisit. Është kjo shifra e bërë publike nga ministri Klosi gjatë një takimi me grupe të
interesit në këto fusha në prani të zvkryeministres Senida Mesi dhe ministrit të Bujqësisë Niko
Peleshi. Takimi u zhvilluar për prezantimin e fazës së parë të procesit të thjeshtimit të
procedurave.
Në fjalën e tij ministri Klosi tha se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është nga të parat ministri
që ka dorëzuar paketën me reduktimin e dokumentave për lehtësimin e raportit midis biznesit e
komunitetit dhe shtetit. “Realisht ndihemi shumë mirë që jemi nga ministritë e para që kemi
dorëzuar paketën, duke reduktuar plot 23 dokumenta, apo mbi 35 përqind të gjithë dokumentave
që ka Ministria e Mjedisit përsa i përket liçensave. Po ashtu shumë dokumente (certifikatë e
regjistrimit në QKB, kopje e lejes së mjedisit, kopje e licencave III.2.B, dëshmia e penalitetit,
kopja e vendimit për vlerësimin paraprak e ndikimit në mjedis, aktet e regjistrimit të personit
fizik/ juridik, aktet e regjistrimit të subjektit) do të gjenerohen nga zyrat përkatëse të ofrimit të
shërbimeve përmes platformës elektronike e-Albania ose nëpërmjet ndërveprimit dhe
komunikimit mes institucioneve. duke bërë në total plot 1 400 dokumenta në vit, të cilët
reduktohen nga raporti i komunitetit me shtetin. Reduktojmë kështu në masë të madhe numrin e
kontakteve të panevojshme.”- tha ministri Klosi.
Kreu i Turizmit dhe Mjedisit bëri me dije se janë 9 projektvendimet në Këshillin e Ministrave
duke ndryshuar 23 akte me qëllim lehtësimin e procedurave dhe shkurtimin e burokracisë në
zyrat e shtetit.Ndërsa brenda muajit shkurt aplikimi dhe kontrolli i lejeve mjedisore do të jetë
online. “Brenda shkurtit lejet mjedisore do të jenë online. Madje edhe kontrolli do të jetë online e
100 për 100 transparent”.- deklaroi ministri Klosi i cili shtoi se në fazën e dytë do të vijojë puna
për rregullimin e proceseve të brendshme dhe minimizimin e burokracisë duke synuar dhe uljen
e korrupsionit në administratë publike, përmes uljes së kontakteve me punonjësit e administratës,
standardizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve.
Ngritja e urdhërit të punonjësit mjedisor është një tjetër objektiv të cilin Ministria e Turizmit dhe
Mjedisit e kërkon që të realizohet nga vetë komuniteti. “Ne do të donim shumë që komuniteti
vetë të organizohej si në fusha të tjera. Komiteti të ketë rregullat e tij të funksionimit dhe të mos
jetë shteti që të përcaktojë nëse një qytetar është i denjë të jetë ekspert mjedisor apo jo.”- tha
ministri Klosi duke mbyllur fjalën e tij se me përmbushjen e tre objektivave; shkurtimit të
dokumentave, transparencës së lejeve mjedisore dhe ngritjes së urdhërit të ekspertit mjedisor,
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të ketë realizuar një hap shumë të madh cilësor që zvogëlon
abuzimet dhe burokracitë që shteti ka në këtë sektor.
Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësues të grupeve të interesit, ministri Klosi iu përgjigj interesit
të tyre për t’u përfshirë në fushatën e pyllëzimit. Gjithashtu ministri Klosi bëri me dije se datat

23-24 shkurt të çdo viti do të jenë “Ditët kombëtare të Pemëve” , ditë që do të shërbejnë për
ndërgjegjësimin dhe veprimet konkrete për mbjelljen e pemëve të reja dhe ruajtjen e kujdesin
ndaj tyre.

Të rejat e fundit