Postuar më: 02/02/2018

Klosi: 100 fshatra model për të ardhmen e fshatrave të tjerë

“Çdo subjekt që kërkon të ofrojë agroturizëm, duhet të plotësojë kriteret e përcaktuara dhe të jetë i çertifikuar”. Deklarata është e ministrit të  Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi, gjatë eventit për prezantimin e projektit “100 Fshatrat” mbajtur ditën e sotme në prani të kryeministrit Rama dhe ministrave të Bujqësisë, Energjitikës dhe infrastrukturës si dhe Kulturës.

Pasi vlerësoi projektin si një komponent mjaft të rëndësishëm të zhvillimit të turizmit shqiptar, ministri Klosi detajoi 12 kriteret mbi të cilat duhet të ngrihet dhe të çertifikohet agroturizmi.  Kështu fermat bujqësore duhet të kenë, të paktën, 1 ha tokë të mbjellë me kultura bujqësore ose, minimalisht, 0,5 hektarë serra ndërsa fermat blegtorale duhet të mbarështojnë, minimalisht, 10 krerë gjedh ose 100 krerë dele/dhi apo 200 krerë shpendë.  Gjithashtu subjektet, që zhvillojnë veprimtari pritëse të klasifikuar si “agroturizëm”, duhet të ofrojnë, minimalisht, njërin nga shërbimet; Akomodim; Ushqim dhe pije; Veprimtari argëtuese dhe çlodhëse, të lidhura me fermën ose mjedisin përreth. Kriter tjetër për subjektet agroturistike, që ofrojnë akomodim, është kapaciteti nga 6 deri 30, por jo më shumë, dhoma pritëse.

Ministri Klosi tha se çertifikimi i fermave si agroturizëm do të bëhet në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Bujqësisë.  “Së bashku me ministrinë e Bujqësisë do të ngrejmë, një grup që do të realizojë çertifikimin e fermave bazuar në këto kritere, duke dhënë mbështetjen e vazhdueshme për të realizuar objektivin madhor që këto ferma të shndërrohen në pole të zhvillimit të zonave  edhe në një model suksesi që do të ndjekin qindra fshatra të tjerë. “

Më tej ministri Klosi deklaroi se Ministria e Turizmit dhe Mjedisi ka vendosur që të gjitha kapacitetet financiare  t’i investojë në realizimin e infrastrukturës sinjalizuese të fermave. “Kemi mundësi që ky produkti jonë të jetë një produkt që së bashku me partnerë të projekteve të ndryshme që janë pranë ministrisë të shndërrohet i gjithi si një promovues i vlerave, praktikave, kulturës, mundësive të arta që ka turizmi shqiptar.”- tha ministri Klosi

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit shpalosi një nga synimet e qeverisë shqiptare në fushën e turizmit, synim  që do të bëhet e mundur edhe falë implementimit me sukses të projektit 100 fshatra. “Objektivi ynë edhe në axhendën e qeverisjes sonë është që çdo vit të kemi një numër të shtuar me 15%, të turistëve që vizitojnë vendin e për të shkuar deri në fund të këtij mandate në një shtim të kontributit që këta turistë kanë në ekonominë e vendit me mbi 20%”- u shpreh Klosi.

Të rejat e fundit