Postuar më: 09/02/2018

Ministri Klosi inspekton Kanionet e Osumit 9 shkurt

HEC-i në Osum nuk do të ndërtohet dhe Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit do të revokojë lejen që është dhënë në kundërshtim me filozofinë e zonave të mbrojtura. Këtë deklaratë Ministri Kosi e dha ditën e sotme gjatë inspektimit në terren në Kanionet e Osumit.

Ministri Klosi e cilësoi vendimarrjen jashtëzakonisht të dënueshme që ka sjellë vepra të tilla që kanë ardhur si pasojë e mënyrës se si kanë funksionuar institucionet me disa.lloj partish e disa lloj tepsish.

“Kjo është një vepër monstruoze ndaj mjedisit dhe do të frenohet me çdo kusht. Duhet të kuptoni që kjo mënyra se si kanë funksionuar institucionet brenda tij, me disa lloj pengesash, me disa lloj partish me disa lloj tepsish kanë sjellë që edhe vepra si kjo e sotmja, me një vendmarrje jashtëzakonisht të dënueshme”, ashpërsoi tonet ministri Klosi. Kreu i turizmit dhe mjedisit theksoi se do të vazhdojnë të gjitha procedurat ligjore për ndjekje penale jo vetem për ata zyrtarë që kanë falsifikuar dokumentat por edhe për firmën ndërtuese, e cila ka manipuluar koordinatat.

“Ne do të çojmë për ndjekje penale çdo njeri, këdo zyrtarë të shtetit që ka ndërtuar dhe ka lejuar që në disa dokumenta të falsifikuara, të ndërtohet dhe të jepen këto leje mjedisore e pastaj leja e shfrytëzimit të ujit e pastaj leja në ndërtimin e këtij HEC-i po njëkohësisht do të kërkojmë edhe ndjekje penale për kompaninë e cila ka manipuluar kordinatat”, deklaroi Ministri Klosi, i cili shtoi se shteti nuk mund dhe nuk do të funksionojë në kurriz të taksapaguesëve.