Postuar më: 16/02/2018

100 mijë fidanë shege mbillen në Divjakë në kuadër të programit të gjelbërimit

Një ndër burimet alternative për zbatimin e programit të gjelbërimit të Shqipërisë me 20 milionë e 200 mijë pemë deri në vitin 2020 është edhe krijimi i plantacioneve me dru frutorë . Në kuadër të këtij programi ministrat Klosi dhe Peleshi mbollën fidanë shege në një nga fermat e reja në Divjakë ku prej ditës së sotme numërohen plot 100 mijë dru frutorë. Pasi pa nga afër investimin e realizuar ministri Klosi u shpreh se mbjellja e fidanëve frutorë mbështetet me një skemë të përbashkët nga MTM dhe AZHBR, nëpërmjet financimit të fermerëve në mbarë vendin.
Kreu i Turizmit dhe Mjedisit theksoi se mbjellja e 100 mijë fidanëve me shegë në këtë fermë është kontribut për ajër më të pastër, ekonomi dhe mirëqenie. Ministri Klosi, apeloi që çdo qytetar të mbjellë një pemë për të afërmit e tij duke u bërë pjesë e Ditëve Kombëtare të Pemëve më 23-24 shkurt. Pikërisht në këto ditë do të fillojë edhe muaji i Mjedisit gjatë të cilit Ministria e Turizmit dhe Mjedisit paralajmëron se jo vetëm do të shtrijë gjerësit programet e pyllëzimit, por edhe do të fillojë ndëshkimin e ndotësve në mjedis në shkallë vendi.
Në vijim të programit të gjelbërimit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisot po bashkërendon axhendën e saj edhe me AZHBR edhe në kuadër të Projektit të Shërbimeve Mjedisore, në muajin Mars pritet të hapet thirrja e dytë për aplikime për punime të pyllëzimit mbi fondin pyjor. Nëpërmjet kësaj thirrje pritet që në sezonin e pyllëzimeve 2018-2019, të mbillen rreth 1 milion fidanë pyjorë.
Nga ana e tij, Ministri Peleshi garantoi mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë për mbjelljen e 20 milionë e 200 mijë pemëve deri në vitin 2020. “Në 4 vite 2 milionë pemë vetëm të mbështetura nga ministria e Bujqësisë dhe me iniciativën private të lirë, drurët frutorë mund të kapin shifrat rreth 4 milionë deri 5 milionë’,- tha Peleshi. Në aktivitet ishin të pranishëm edhe deputeti i zonës Erjon Brace dhe kryetari i bashkisë Divjakë të cilët së bashku me ministri Klosi vlerësuan investimin që e kishte shndërruar tokën e kripur në një tokë të punueshme. Deputeti Braçe theksoi se përveç këtij kontributi në mjedis dhe bujqësi sipërmarrje të tilla rrisin punësimin në zonë.” E gjitha kjo që po ndodh, natyrisht, që përthyhet dhe në punësim për banorët e zonës, por dhe më gjerë se sak kaq Vetëm këtu do të duhen gati 1 mijë punëtorë nesër- tha deputeti Braçe.