Postuar më: 24/07/2018

Rritet me 13 % numri i turistëve krahasuar me një vit më parë

Numri i turistëve të huaj që kanë mbërritur në Shqipëri krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare është rritur me 13%. Duke ndarë statistikat me komunitetin e biznesit dhe përfaqësuesit lokalë gjatë mbledhjes së Komitetit Rajonal të Turizmit në Pogradec, ministri Klosi theksoi se rritja e numrit të turistëve rrit njëherësh përgjegjësitë për ta shndërruar Shqipërinë në një destinacion europian turistik.

Kreu i turizmit theksoi se ndër problematikat kryesore vijon të mbetet siguria në plazhe.  Ministri Klosi i bëri apel biznesit që ushtron aktivitet në bregdet që të plotësojë detyrimin ligjor për të vënë rojet e plazhit me qëllim mbrojtjen e jetës së cdo turisti por edhe të jetë më aktiv në zgjidhjen e problematikave së bashku me pushtetin lokal.

Ministri Klosi theksoi gjithashtu se risia e këtij sezoni është mikpritja, realizimi i shumë aktiviteteve argëtuese, turizmit të kulinarisë dhe turizmit kulturor e historik për t’u dhënë turistëve më shumë arsye për t’u rikthyer në Shqipëri

Gjatë takimit kreu i turizmit gjithashtu i kërkuar biznesit që të përfitojë nga politikat lehtësuese fiskale dhe zonat me përparësi të zhvillimit të turizmit që janë miratuar nga qeveria për të zhvilluar agroturizmin. “Oferta e qeverisë për të gjithë ata biznesmenë ë cilët duan të ndërtojnë një biznes të qëndrueshëm është fare e qartë. Ata do të përfitojnë nga ulja e taksës në 5 për qind në taksën e fitimit nga 15 që është në biznesin normal . Kush krijon një strukturë agroturistike do të përfitojë 6 për qind ulje të tvsh për të gjitha shërbimet brenda biznesit të tij dhe 0 taksë infrastrukture.”- tha ministri Klosi.

Të rejat e fundit