Postuar më: 31/07/2018

Turizmi festiv në 1 muaj

Festat e muajit korrik

Turizmi festiv vijon në të gjithë vendin. Këtë muaj janë zhvilluar festa të shumta nga veriu në jug të Shqipërisë, ku tursitët vendas dhe të huaj kanë pasur mundësinë të argëtohen por edhe të kthehen pas në kohë apo të provojnë shijet, kulinarinë, traditat dhe kulturën e zonave të ndryshme.

Në Pogradec është mbajtur për të parën herë festa e Teto Ollgës, personazhit më të dashur të komedisë shqiptare të paraviteve 90. për 3 net me radhë, Tushemishti u bë më joshës për turistët e huaj falë aktiviteteve dhe produkteve të kulinarisë që u ekspozuan gjatë festës lokale. ‘Akullore si dikur’ është festa e kulinarisë që ka zbritur në Shëtitoren e Durrësit. Mijëra qytetarë dhe pushues të këtij qarku, kanë shijuar produktin tipik të Durrësit, në një panair në hyrje të Vollgës, vendin simbol të këtij qyteti. Vetë prodhuesit e kanë vlerësuar nismën, si një gjetje e promovimit të produktit të tyre. Ndërsa në Dhërmi është mbajtur për herë të parë Mjalt’Fest, një prej produkteve më të njohura të zonës.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit,ka garantuar se  festat lokale, do të vijojnë përgjatë gjithë bregut me produktin tipik: peshku, vaji i ullirit, nënproduktet bujqësore, embëlsirat tradicionale, glikotë, verën, punimet tradicionale artizanale. Paralelisht me festat e kulinarisë përgjatë muajit korrik kanë vijuar edhe festat kulturore si Za’Fest në  Theth, apo Sokaku i  të marrëve në Gjirokastër dhe shumë aktiviteteve të tjera në të gjitha zonat turistike.