Postuar më: 11/09/2018

Ministri Klosi inauguron shkollën në Syzez

E rikonstruktuar dhe me një palestër të re, shkolla e njësisë administrative Syzes është gati për të pritur nxënësit.  I pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ministri Klosi, njëherësh edhe drejtues i qarkut Berat theksoi se ky vit shkollor i gjen nxënësit me shkolla më të mira dhe libra falas.

Duke shpërndarë librat shkollorë falas për nxënësit e nga klasa e parë deri në klasën e katërt ministri Klosi tha:” Kjo është një dhuratë që qeveria shqiptare, kryeministri Edi Rama ka menduar për të gjithë fëmijët e Shqipërisë, nga klasa e 1 deri në klasën e 4 duke filluar mbajtjen e premtimit tonë elektoral që brenda këtij mandati deri në vitin 2021 vit pas viti të gjithë nxënësit deri në klasën e nëntë të marrin librat falas. Ne do ta mbajmë këtë premtim sepse mendojmë për njerëzit, kemi vëmendjen te njerëzit, kemi shumë vëmendje sidomos për ato familje që e kanë të vështirë të mbulojnë këto shpenzime”. Reformat e ndërmarra për reduktimin e shpenzimeve dhe rritjen e investimeve po ndryshojnë jetesën e komunitetit.

Ministri Klosi vlerësoi punën e bashkisë ku investimet e bëra kanë përmirësuar shërbimin ndaj komunitetit jo vetëm në shkolla, por edhe në kopshte dhe qendra shëndetësore. Ministri Klosi tha se investimet dhe reformat në arsim do të vijojnë.  “Bashkia e Urës Vajgurore mund të jetë nga bashkitë e pakta në Shqipëri në mos bashkia e parë, e cila mundi që brenda një harku kohor të tre viteve që Juli është kryetare, të arrijë të prekë numrin më të madh të të gjitha shkollave, nga 21 shkolla që ka bashkia 17 prej tyre kanë ndjerë ndryshimin. 17 nga 21 shkolla në urën Vajgurore, ose janë bërë të reja, ose kanë marrë rikonsktruksion, ose janë bërë shkolla me laboratore të reja ose janë në valën e ndryshimeve. Prandaj viti i ri shkollor na gjen me përkujdesje shumë më të madhe, për nxënësit, për të rinjtë për ata që duhet të marrin dijet dhe përgatitjen për gjithë jetën e tyre.” Tha ministri Klosi duke shtuar se në këtë bashki tashmë ka një sistem të ringritur edhe të kopshteve

Në shkollën e Njësisë Administrative Syzes do të ulen këtë vit 433 nxënës nga disa  fshatra  të cilët këtë  vit për herë të parë do të kenë jo vetëm libra falas deri në klasën e 4-t,  por edhe kushte shumë më të mira për të mësuar në shkollë falë rikonstruksionit, laboratoreve dhe palestrës së re.

 

Të rejat e fundit