Postuar më: 18/07/2019

Golem. Klosi: Lirojmë 20% të hapësirave për plazhe publike

Golem

Task Forca e Turizmit dhe strukturat përgjegjëse për menaxhimin e sezonit turistik 2019 vijojnë punën për lirimin e hapësirave publike të plazheve, duke ia rikthyer ato qytetarëve.

Nga aksioni i përqendruar tek plazhi “Pishat e buta”, në Golem, ministri Klosi tha: “Jemi gjatë gjithë gjatësisë së bregdetit shqiptar nga kufiri më verior në Velipojë deri në Konispol poshtë në jug, nën drejtimin e prefektëve dhe patronazhimin e të gjithë kabinetit qeveritar për të zhvilluar një aksion të shpejtë gjatë këtij sezoni për të realizuar vendimin e Këshillit të Ministrave i cili në radhë të parë kërkon të sigurojë hapësirat publike të cilat nuk janë të uzurpuara nga privatët, nga vendosja e cadrave dhe nga vendosja e shezlonëve për të gjithë hapësirën e bregdetit dhe sic e shikoni këtu nën drejtimin e prefektes së Tiranës, dhe me pjesmarrjen e të gjitha institucioneve që janë në këtë zonë për të realizuar këtë operacion, kemi një hapësirë të konsiderueshme, prej 2 mijë metrash katrore, në një nga plazhet më të bukura te Golemit, që tashmë i ofrohet publikut”- tha ministri Klosi.

Sipas tij, plazhe te tjera publike jane liruar edhe ne stacione te tjera plazhesh, që mbulohen nga bashkia Kavajë, për të vijuar me realizimin e të njëjtit procesi edhe në plazhet  që mbulohen nga bashkia Durrës. “Tabelat e vendosura kudo në territorin e plazhit shqiptar tashmë janë hapësira për njerëzit e thjeshtë të cilët kanë mundësi të pushojnë të pashqetësuar nga operatorët privatë. Ne nuk jemi kundër biznesit privat, e nxisim që të realizojnë biznesin e tyre, të ofrojë cilësi shërbimi, akomodim dhe standard, por zbatimi i rregullave do të jetë i barabartë për të gjithë.

Dhe kjo po zbatohet tashmë nën drejtimin e Task Forcës. Hapësirat publike për ato të cilët duan të pushojnë në këto hapësira, sigurimi maksimal i jetës së qytetarëve në këto stacione plazhi ku ka disa elementë të kësaj sigurie si në det dhe në ambjentet ku realizohet ky aktivitet dhe e treta; pastërtia. Për të tre këta elementë ne do të kemi toleranë 0 dhe sic e shikoni në të gjithë zonën e bregdetit ka tashmë Task Forca të cilat po punojnë për të realizuar me përpikmëri secilën prej tyre.

“Ky operacion do te vijoje gjate gjithë sezonit veror dhe forcat e rendit janë të porositura që të ruajnë këto hapësira për publikun dhe të menaxhojnë në mënyrë sa më të sigurtë sezonin turistik. Jemi në një sezon që ka filluar i suksesshëm, kemi një rritje të numrit të turistëve të huaj edhe krahasuar me vjet, duhet që paralelisht me shtimin e  kapaciteteve akomoduese të kemi më shumë rregulla për menaxhimin e sektorit public dhe menaxhimin e plazhit. Ndaj gjithmonë e më shumë po del detyra dhe AKB e ka marrë këtë detyrë për të krijuar një sistem më të përqendruar menaxhimi të hapësirave publike ne plazhe”- tha ministri Klosi.