Postuar më: 20/08/2019

Ministri Klosi dhe të rinjtë e Smile Albania, operacion pastrimi në kanalin e Çukës

Smile Albania

“Jemi në kulmin e sezonit turistik dhe për Sarandën padyshim Butrinti shënon një nga destinacionet më të rëndësishme turistike ndaj të rinjtë e Smile në këtë aksion pastrimi kanë nisur një aksion të thellë pastrimi bashkë me punonjësit e bashkisë për të pasur një Sarandë më të pastër”, -tha ministri Klosi nga kanali i Çukës, në Sarandë, gjatë një aksioni pastrimi me të rinjtë e Smile Albania. Ai theksoi se aksione të tilla nuk mjaftojnë për të pastruar zonat turistike, por më i rëndësishëm është mesazhi për të ndërgjegjësuar qytetarët, bizneset që të kujdesen për të mbajtur pastër Sarandën dhe të gjithë Shqipërinë. “Megjithatë do të thoja me kënaqësi që kryetari i bashkisë në fillimin e punës ka marrë një aksion shumë të madh pastrimi për gjithë territorin e Sarandës dhe besoj që sot ajo është shumë më e pastër duke menduar që në Sarandë ka mbi 150 mijë turistë që janë çdo ditë aty dhe për fondet e bashkisë kjo është një punë shumë e madhe prandaj kontributi që japin të rinjtë e Smile dhe shumë qytetarë që i janë bashkuar aksionit të pastrimit është mëse i nevojshëm”, – tha ministri Klosi.

Kryetari i bashkisë Sarandë vlerësoi aksionin e pastrimit përgjatë një segmenti, që çdo ditë përshkohet nga mijëra turistë që kalojnë Ksamil. “Aktiviteti i sotëm ka më shumë si qëllim, jo vetëm pastrimin, por edhe ndërgjegjësmin e qytetarëve që përdorin këtë segment për mbetjet dhe grumbullimet e plehrave. Ne herë pas here kemi bërë thirrje dhe vazhdojmë të bëjmë thirrje për një ndërgjegjësim qytetar që të kemi një territor të pastër sepse aseti ynë kryesor është turizmi”- tha kryetari Gurma.