Postuar më: 23/10/2020

Njoftim, për zhvillimin e dëgjesës publike për konsultimin e raporteve paraprak të VSM me publikun dhe grupet e interesit.

PËR ZHVILLIMIN E DËGJESËS PUBLIKE PËR KONSULTIMIN E RAPORTEVE PARAPRAK TË VSM ME PUBLIKUN DHE GRUPET E INTEREST “PËR HARTIMIN E 5 PLANEVE TË DETAJUARA TË ZONAVE TË RËNDËSISË KOMBËTARE NË BREGDET PËRKATËSISHT: PDZRK BAKS-RRJOLL, PDZRK RANA E HEDHUN- PORT SHËNGJIN, PDZRK GRYKË DERDHJA E ISHMIT, PDZRK TALE, PDZRK SPILLE”.

 

Të nderuar,

Në kuadër të nismës së ndërmarrë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në cilësinë e autoritetit propozues për hartimin e 5 planeve të detajuara të zonave të rëndësisë kombëtare në bregdet përkatësisht PDZRK Baks-Rrjoll, PDZRK Rana e Hedhun- Port Shëngjin, PDZRK Grykë Derdhja e Ishmit, PDZRK Tale, PDZRK Spille sipas Studimit të Masterplanit për Zonat me Përparësi Zhvillimin e Turizmit, dhe si pjesë e procesit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor që po zhvillohet për këto plane, me hartimin dhe pas publikimit të raporteve paraprake të VSM-së, lind detyrimi për realizimin e dëgjesës publike për konsultimin e këtyre raporteve me publikun dhe grupet e interesit.

 

Realizimi i procesit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor për Planin e Detajuara të Zonës së Rëndësisë Kombëtarë (PDZRK) buron nga ligji nr. 91/2013, datë 28.02.2013, “Për vlerësimin strategjik mjedisor”. Referuar nenit 2 pika 1/a të këtij ligji theksohet se, procesit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor i nënshtrohen të gjitha planet dhe programet për bujqësinë, pyjet, peshkimin, energjinë, industrinë, industrinë minerare, transportin, menaxhimin e mbetjeve, menaxhimin e ujërave, telekomunikacionin, turizmin, planet kombëtare e vendore të planifikimit të territorit urban e rural, përfshi dhe mbrojtjen e peizazhit, të përdorimit të tokës, të cilat vendosin kuadrin për miratimin, në të ardhmen, të projekteve të listuara në shtojcat 1 e 2 të ligjit nr. 10 440, datë 7.7.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”.

 

Vlerësimi Strategjik Mjedisor është një proces sistematik që vlerëson pasojat në mjedis të një dokumenti strategjik planifikues të propozuar për zbatim me qëllim që të sigurojë që këto pasoja mjedisore të adresohen plotësisht që në fazat e hershme të vendimmarrjes përkrah konsideratave ekonomike dhe sociale. VSM-ja duhet të paraqesë informacione mbi ato ndikime mjedisore, ekzistenca dhe pasoja e të cilave nuk janë të përcaktuara me saktësi. Në këtë mënyrë VSM-ja në gjatë hartimit të dokumentave strategjik planifikues mund të kontribuojë për një përmirësim të proçesit të planifikimit dhe vendimmarrjes, meqë është një vlerësim gjithëpërfshirës, sistematik dhe transparent i aspekteve mjedisore, sociale dhe ekonomike si dhe i implikimeve problematike të planifikimit.

 

Detyra e VSM është të kontribuojë për një planifikim strategjik të tillë që nga pikëpamja e mjedisit dhe e shëndetit publik është jo vetëm i tolerueshëm por edhe optimal, ndërkohë që edhe kërkon për alternativa të ndryshme duke marrë në konsideratë efektet mjedisore, sociale dhe ekonomike.

 

Sipas ligjit 91/2013 mbi VSM, procesi i vlerësimit strategjik mjedisor kalon në këto fazat e mëposhtme:

1-Konsultimi me grupet e interesit për çështjet që do të trajtohen në raportin e VSM-së;

2-Hartimi i raportit paraprak dhe konsultimi me grupet e interesit dhe publikun ne lidhje me të;

3-Hartimi i raportit përfundimtar të Vlerësimit Strategjik Mjedisor;

4-Shqyrtimi i propozimit dhe deklarata e ministrit;

5-Vendimi i autoritetit miratues;

6-Monitorimi dhe raportimi i pasojave në mjedis të planit apo programit.

 

Në këtë kuadër, ju njoftojmë se në përfundim të procesit të konsultimit me grupet e interesit, janë hartuar raportet paraprake të Vlerësimit Strategjik Mjedisor, respektivisht për secilën zonë. Në këto raporte, është mbajtur në konsideratë detyrimi për trajtimin e çështjeve të përcaktuara në ligjin nr. 91/2013 “Për Vlerësimin Strategjik Mjedisor”, sikurse dhe janë përfshirë e reflektuar sugjerimet dhe propozimet e bëra gjatë procesit të konsultimit të realizuar sipas kalendarit të njoftuar në faqen e Ministrisë.

Mendimet, sugjerimet dhe komentet e grupeve të interesit dhe publikut mbi raportet paraprake të VSM janë të mirëpritura nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit gjatë dëgjesave publike që do të organizohen sipas kalendarit të mëposhtëm, sikurse dhe mund të dërgohen nga ana e të interesuarve nëpërmjet të gjitha formave të komunikimit.

Kalendari i zhvillimit të dëgjesave

Rrogozhinë, Spille: Takimi do të zhvillohet ditën e martë, datë 27.10.2020, ora 11.00, në ambientet e Bar-Restorant “DETI”, Spille.

Lezhë: Takimi do të zhvillohet ditën e mërkurë, datë 28.10.2020, ora 11.00, në ambientet e “Hotel Princ”, Rana e Hedhun.

Kurbin: Takimi do të zhvillohet ditën e mërkurë, datë 28.10.2020, ora 15.00, në ambientet e Bar “Kasmi” – Kurbin, në aksin kryesor të “Rrugës së Kombit”.

Shkodër: Takimi do të zhvillohet ditën e enjte, datë 29.10.2020, ora 11.00, në ambientet e “Hotel Colosseo”, Shkodër.

Në vijim mund të njiheni me raportet paraprake të VSM për 5 planet e detajuara të zonave të rëndësisë kombëtare në bregdet përkatësisht PDZRK Baks-Rrjoll, PDZRK Rana e Hedhun- Port Shëngjin, PDZRK Grykë Derdhja e Ishmit, PDZRK Tale, PDZRK Spille.

Raporti paraprak VSM PDZRK Bals Rrjoll

Raporti paraprak VSM PDZRK Rana e Hedhun

Raporti paraprak VSM PDZRK Ishem

Raporti paraprak VSM PDZRK Tale

Raporti paraprak VSM PDZRK Spille