Postuar më: 09/11/2021

Njoftim, për zhvillimin e dëgjesës publike për konsultimin e raportit paraprak të VSM për Planin e Detajuar të Zonës me Rëndësi Kombëtare (PDZRK) Vjosë – Nartë me publikun dhe grupet e interesit.

PËR ZHVILLIMIN E DËGJESËS PUBLIKE PËR KONSULTIMIN E RAPORTIT PARAPRAK TË VSM ME PUBLIKUN DHE GRUPET E INTEREST “PËR HARTIMIN E PLANIT TË DETAJUARA TË ZONËS ME RËNDËSI KOMBËTARE VJOSË-NARTË.

 

Të nderuar,

Në kuadër të nismës që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në cilësinë e autoritetit propozues ka ndërmarrë për hartimin e planit të detajuar të zonës me rëndësi kombëtrare (PDZRK) Vjosë – Nartë, si dhe në vijim të procesit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor që po zhvillohet për këtë plan, pas hartimit dhe publikimit të raportit paraprak të VSM-së, lind detyrimi për realizimin e dëgjesës publike për konsultimin e raportit paraprak me publikun dhe grupet e interesit.

Realizimi i procesit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor për Planin e Detajuara të Zonës së Rëndësisë Kombëtarë (PDZRK) buron nga ligji nr. 91/2013, datë 28.02.2013, “Për vlerësimin strategjik mjedisor”. Referuar nenit 2 pika 1/a të këtij ligji theksohet se, procesit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor i nënshtrohen të gjitha planet dhe programet për bujqësinë, pyjet, peshkimin, energjinë, industrinë, industrinë minerare, transportin, menaxhimin e mbetjeve, menaxhimin e ujërave, telekomunikacionin, turizmin, planet kombëtare e vendore të planifikimit të territorit urban e rural, përfshi dhe mbrojtjen e peizazhit, të përdorimit të tokës, të cilat vendosin kuadrin për miratimin, në të ardhmen, të projekteve të listuara në shtojcat 1 e 2 të ligjit nr. 10 440, datë 7.7.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”.

 

Vlerësimi Strategjik Mjedisor është një proces sistematik që vlerëson pasojat në mjedis të një dokumenti strategjik planifikues të propozuar për zbatim me qëllim që të sigurojë që këto pasoja mjedisore të adresohen plotësisht që në fazat e hershme të vendimmarrjes përkrah konsideratave ekonomike dhe sociale. VSM-ja duhet të paraqesë informacione mbi ato ndikime mjedisore, ekzistenca dhe pasoja e të cilave nuk janë të përcaktuara me saktësi. Në këtë mënyrë VSM-ja në gjatë hartimit të dokumentave strategjik planifikues mund të kontribuojë për një përmirësim të proçesit të planifikimit dhe vendimmarrjes, meqë është një vlerësim gjithëpërfshirës, sistematik dhe transparent i aspekteve mjedisore, sociale dhe ekonomike si dhe i implikimeve problematike të planifikimit.

Detyra e VSM është të kontribuojë për një planifikim strategjik të tillë që nga pikëpamja e mjedisit dhe e shëndetit publik është jo vetëm i tolerueshëm por edhe optimal, ndërkohë që edhe kërkon për alternativa të ndryshme duke marrë në konsideratë efektet mjedisore, sociale dhe ekonomike.

Sipas ligjit 91/2013 mbi VSM, procesi i vlerësimit strategjik mjedisor kalon në këto fazat e mëposhtme:

1-Konsultimi me grupet e interesit për çështjet që do të trajtohen në raportin e VSM-së;

2-Hartimi i raportit paraprak dhe konsultimi me grupet e interesit dhe publikun ne lidhje me të;

3-Hartimi i raportit përfundimtar të Vlerësimit Strategjik Mjedisor;

4-Shqyrtimi i propozimit dhe deklarata e ministrit;

5-Vendimi i autoritetit miratues;

6-Monitorimi dhe raportimi i pasojave në mjedis të planit apo programit.

Në këtë kuadër, ju njoftojmë se në përfundim të procesit të konsultimit me grupet e interesit, është hartuar raporti paraprake i Vlerësimit Strategjik Mjedisor, për PDZRK Vjosë-Nartë. Në raport, është mbajtur në konsideratë detyrimi për trajtimin e çështjeve të përcaktuara në ligjin nr. 91/2013 “Për Vlerësimin Strategjik Mjedisor”, sikurse dhe janë përfshirë e reflektuar sugjerimet dhe propozimet e bëra gjatë procesit të konsultimit të realizuar sipas kalendarit të njoftuar në faqen e Ministrisë.

Mendimet, sugjerimet dhe komentet e grupeve të interesit dhe publikut mbi raportin paraprak të VSM janë të mirëpritura nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit gjatë dëgjesës publike që do të organizohet sipas kalendarit të mëposhtëm, sikurse dhe mund të dërgohen nga ana e të interesuarve nëpërmjet të gjitha formave të komunikimit.

Sa më sipër, njoftojmë se konsultimi me grupet e interesit i raportit paraprak të VSM për PDZRK “Vjosë – Nartë” do të zhvillohet në Hidrovorin e Akërnisë (në të njëjtin vend ku është zhvilluar konsultimi i parë, ai mbi çështjet që do të trajtohen në raportin e VSM), ditën e enjte, datë  11.11.2021, ora 12:00.

Në faqen e zyrtare të MTM-së në internet, mund të vijoni të njiheni me raportin paraprak të VSM-së për PDZRK Vjosë – Nartë, që qëndron i publikuar që prej datës 20.09.2021.