Postuar më: 21/07/2021

Për zhvillimin e “Konsultimit me grupet e interesit për çështjet që do të trajtohen në raportin e VSM-së”, mbi nismën për hartimin e planit të detajuar të zonës me rëndësi kombëtare (PDZRK) Vjosë – Nartë.

Për zhvillimin e “Konsultimit me grupet e interesit për çështjet që do të trajtohen në raportin e VSM-së”, mbi nismën për hartimin e planit të detajuar të zonës me rëndësi kombëtare (PDZRK) Vjosë – Nartë.

Të nderuar,

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në cilësinë e autoritetit propozues ka ndërmarrë nismën për hartimin e planit të detajuar të zonës me rëndësi kombëtrare (PDZRK) Vjosë – Nartë.

Qëllimi i PDZRK-së është përcaktimi i qartë i kushteve për zhvillim të cilat do të sigurojnë një balancë të drejtë midis interesit privat dhe publik në zhvillimin e turizmit, ruajtjen e vlerave mjedisore dhe karakteristikat e peisazhit bregdetar e lagunor te zonës. Në themel të këtij procesi qëndron bashkërendimi ndërsektorial, koordinimi institucional si edhe zbatimi i deyrimeve ligjore që rrjedhin nga dokumentat e planifikimit në fuqi, për territorin subjekt zhvillimi. Gjithashtu, ky plan synon të sigurojë  që zhvillimi  turistik i propozuar, të ndjekë një rrugë vërtet të qëndrueshme dhe që kontribuon në një menaxhim të cilësor të zonës së mbrojtur,  territorit publik dhe privat, siguron  bashkëpunim të zgjeruar dhe partneritet konkret midis industrisë së turizmit dhe  qeverisjes në të gjitha nivelet duke kontribuar njëkohësisht në mirëqenien e  komunitetit lokal.

Objektivat kryesor të PDZRK për zonën e Nartës mund të përmblidhen si më poshtë:

  • Të sigurojë mundësi për realizimin e strukturave zhvillimore të cilat respektojnë karakteristikat mjedisore, peisazhin dhe kapacitetin mbajtës për zonën;
  • Të sigurojë një proces transparent të ndarjes së njësisë në nënnjësi strukturore pas riorganizimit të parcelave (përmes ndarjes dhe/ose ribashkimit) me qëllim përmirësimin e mundësive për investim;
  • Detajimet për brezat mbrojtës të vijave ujorë, gjerësia e brezave të gjelbërimit dhe të  akseve-korridoreve të kalimit;
  • Përcaktimi i kushteve dhe rregullave teknike për zbatimin e strukturave dhe infrastrukturës mbështetëse me qëllim ruajtjen e bregut dhe të burimeve ujore në zonë.

Plani e përcakton qytetin e Vlorës si Qendër Parësore, e cila bën pjesë në polin e zhvillimit rajonal Gjirokastër-Sarandë, porta jugore e rivierës shqiptare. Më specifikisht në dokumentin e planit të zhvillimit të këtij plani, thuhet:

Ky pol zhvillimi rajonal perfshin fashën territoriale me fokus drejt zhvillimit të shërbimeve të turizmit detar, kulturor, mirëqënies fizike dhe ekonomisë blu në hapësirën territoriale nga laguna e Nartës (Vlorë) në veri deri në kepin e Stillos (Konispol) në jug.

Plani përcakton zhvillimin ekonomik të orientuar drejt turizmit bregdetar dhe turizmit kulturor, duke përfshirë turizmin e detit dhe rërës, turizmin nënujor, turizmin e krauzierave, turizmin e jahteve, turizmin historik/ arkeologjik, fetar etj., bazuar në resurset kryesore të zonës.

Ky plan e përcakton zonën e Rëndësisë Kombëtare Vjosë-Nartë pjesë të fashës së tretë (Grykëderdhja e Vjosës (N15)) me sektorin e turizmit Natyror dhe Aventure me tipologji Ekoturizëm, Hipizëm, Ecje në Natyrë. Target grupi i synuar janë ambientalistët, individualët dhe turistët ditor.

Zona ka potencial të jashtëzakonshëm për t’u zhvilluar për shkak të traditës së konsoliduar të të jetuarit duke punuar e prodhuar prej tokës, si edhe mirëqendjes, së vërtetuar tashmë, që krijohet edhe duke kryer aktivitet bujqësor.

Gjithashtu zona do të shërbejë si ndërmjetëse për lidhjen e turizmit bregdetar dhe përfitimin e tij nga vlerat e turizmit rural/agrikulturor. Produktet bujqesore vendase, të cilat prodhohen e përpunohen në lokalitetet në afërsi të bregdetit, do të shërbejnë për turistët e akomoduar, jo vetëm në bregdet. Lokalitetet do të shërbejnë si pole ku do të zhvillohen klasterat me karakter bujqëso, sikurse do të shërbejnë edhe si njësi shërbimi e akomodimi.

Turizmi aktiv dhe i aventurës, kërkon zhvillimin e aktiviteteve sportive tokësore dhe detare të tilla si: hipizmi, gjuetia, ecja në natyre, lundrimi me vela, me kajak, zhytje etj. Plani sheh të lidhur ngushtë aktivitetet e aventurës me ato kulturore në bazë vjetore, si festat tradicionale, festivalet, panairet etj., me qëllim forcimin e identitetit të kësaj zone me potenciale turistike.

Përsa i përket arsyetimit për nevojën e hartimit të dokumenteve të Vlerësimit Strategjik Mjedisor për Planin e Detajuara të Zonës së Rëndësisë Kombëtarë (PDZRK) rrjedh si detyrim nga ligji nr. 91/2013, datë 28.02.2013, “Për vlerësimin strategjik mjedisor”. Referuar nenit 2 pika 1/a të këtij ligji theksohet se, procesit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor i nënshtrohen të gjitha planet dhe programet për bujqësinë, pyjet, peshkimin, energjinë, industrinë, industrinë minerare, transportin, menaxhimin e mbetjeve, menaxhimin e ujërave, telekomunikacionin, turizmin, planet kombëtare e vendore të planifikimit të territorit urban e rural, përfshi dhe mbrojtjen e peizazhit, të përdorimit të tokës, të cilat vendosin kuadrin për miratimin, në të ardhmen, të projekteve të listuara në shtojcat 1 e 2 të ligjit nr. 10 440, datë 7.7.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”.

Vlerësimi Strategjik Mjedisor është një proces sistematik që vlerëson pasojat në mjedis të një dokumenti strategjik planifikues të propozuar për zbatim me qëllim që të sigurojë që këto pasoja mjedisore të adresohen plotësisht që në fazat e hershme të vendimmarrjes përkrah konsideratave ekonomike dhe sociale. VSM-ja duhet të paraqesë informacione mbi ato ndikime mjedisore, ekzistenca dhe pasoja e të cilave nuk janë të përcaktuara me saktësi. Në këtë mënyrë VSM-ja në gjatë hartimit të dokumentave strategjik planifikues mund të kontribuojë për një përmirësim të proçesit të planifikimit dhe vendimmarrjes, meqë është një vlerësim gjithëpërfshirës, sistematik dhe transparent i aspekteve mjedisore, sociale dhe ekonomike si dhe i implikimeve problematike të planifikimit.

Detyra e VSM është të kontribuojë për një planifikim strategjik të tillë që nga pikëpamja e mjedisit dhe e shëndetit publik është jo vetëm i tolerueshëm por edhe optimal, ndërkohë që edhe kërkon për alternativa të ndryshme duke marrë në konsideratë efektet mjedisore, sociale dhe ekonomike.

Sipas ligjit 91/2013 mbi VSM, procesi i vlerësimit strategjik mjedisor kalon në këto fazat e mëposhtme:

1-Konsultimi me grupet e interesit për çështjet që do të trajtohen në raportin e VSM-së;

2-Hartimi i raportit paraprak dhe konsultimi me grupet e interesit dhe publikun ne lidhje me të;

3-Hartimi i raportit përfundimtar të Vlerësimit Strategjik Mjedisor;

4-Shqyrtimi i propozimit dhe deklarata e ministrit;

5-Vendimi i autoritetit miratues;

6-Monitorimi dhe raportimi i pasojave në mjedis të planit apo programit.

Referuar ligjit nr. 91/2013, datë 28.02.2013, “Për vlerësimin strategjik mjedisor” dhe VKM-së 219/2015 “Për përcaktimin e rregullave e të procedurave për konsultimin me grupet e interesit dhe publikun, si dhe dëgjesën publike gjatë procesit të vlerësimit strategjik mjedisor”, lind detyrimi për kryerjen e konsultimeve me grupet e interesit në faza të ndryshme të procesit të VSM-së.

 

Sa më sipër, njoftojmë se konsultimi me grupet e interesit, për PDZRK “Vjosë – Nartë”, do të zhvillohet në Hidrovorin e Akërnisë, ditën e Martë, datë  27.07.2021, ora 12:00.

Linku i vendndodhjes së vendtakimit  

 

Sa më sipër bashkëlidhur do të gjeni “Raportin e Planit të zhvillimit” dhe hartat shoqëruese të zonës.

 

PLANI I DETAJUAR I ZONËS ME RËNDËSI KOMBËTARE (PDZRK) VJOSË-NARTË, BASHKIA VLORË
PLANI I DETAJUAR PËR ZONËN E RËNDËSISË KOMBËTARE VJOSË – NARTË
PLANI I DETAJUAR I ZONËS ME RËNDËSI KOMBËTARE (PDZRK) VJOSË-NARTË, BASHKIA VLORË