Postuar më: 02/10/2020

Turizmi shqiptar ia doli të ishte i fortë dhe në kohë pandemie, numëroi 65% vizitorë të huaj krahasuar me vitin 2019

Turizmi shqiptar ia doli të ishte i fortë dhe në kohë pandemie, numëroi 65% vizitorë të huaj krahasuar me vitin 2019

Më 27 tetor Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Z. Blendi Klosi zhvilloi një takim me operatorët turistik, të cilët i falenderoi për punën e bërë. Gjithashtu ai falenderoi dhe mediat për përcjelljen e shqetësimeve të sezonit si dhe në promovimin e Shqipërisë.

“Në datën 10 qershor në Shqipëri zbriti charteri i parë turistik me turistë nga Bjellorusia, por që më pas vijoi me me sjelljen e turistëve polak, ukrainas, bjellorus dhe natyrisht nga shtetësi të tjera, të cilat shënuan një hapje të re të turizmit Shqiptar në botë. Ne ia dolëm të ishim konkurrent përsa i përket shifrave. Sot më datë 28 shtator kemi 65 për qind vizitorë të huaj që kanë vizituar Shqipërinë krahasuar me 2019 si asnjë vend tjetër”,- tha Z. Klosi.

“Në gusht Shqipëria u vizitua nga mbi 600 mijë vizitorë të huaj që shënon 40-45 % krahasuar me të njëjtën periudhe të vitit 2019, si asnjë vend tjetër. Ia dolëm të kapim një treg të ri, i cili tashmë duhet parë me shumë rigorozitet për vitin 2021. Unë mendoj se ka ardhur koha që të gjithë së bashku me të gjithë ju që jeni në këtë tryezë si dhe me të gjitha fashat e sektorit të turizmit të flasim hapur se çdo bëjmë nga sot e në vazhdim”,- tha zoti Klosi.

“Këtë sezon ne hymë në tregun rajonal, duke patur turistë nga Serbia, Mali i Zi, Bosnja Maqedonia e Veriut, por, a do të jemi gati për vitin tjetër në kushtet e reduktimit të pandemisë dhe zgjerimit të rrugëve të komunikimit me Maqedoninë e Veriut nëpërmjet rrugës së Arbrit, me hapjen e autostradës së Prishtinës për të gjithë Europën Qendrore me zhvillimin e infrastrukturës, me fillimin e punimeve të aeroportit të Vlorës, tunelit të Llogorasë autostradave të përfunduara, “bypass-i” i Vlorës. Do të na duhet të rrisim kapacitetet në turizëm”,- shtoi ministri Klosi.

“Viti 2020 fal tashmë kontributit shumë të madh të medias dhe njerëzve, të cilët punojnë me rrjetet sociale krijuan një frymë të brendshme të lëvizjes së vizitorëve vëndas në objektet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Në rast të hapjes së kufijve nuk mendoni se do të ketë një rritje të frekuencës së vizitorëve në pikat turistike. Kjo është për t’u diskutuar dhe ju takon më shumë se kujtdo tjetër, që së bashku të mendojmë se si duhet administruar një turizëm në rritje. Gjithashtu doja të sillja në vëmëndjen tuaj se, në kuadër të mungesës së panaireve ndërkombëtare klasike, bota po kalon me shumë shpejtësi në panaire “on line”. Kush do të jetë e ardhmja e komunikimit me operatorët e vendeve të tjera në kuadër të bashkërendimit në panairet “on line”. Kjo është një çështje tjetër që duhet të diskutojmë së bashku. Pra, të nderuar miqtë e mi, duke qenë fare i përgatitur që pas meje, secili nga ju do të ketë kërkesa karshi qeverisë , kjo nuk duhet të na pengojë që të vazhdojmë diskutimin “ tha z. Klosi.

Në vijim të takimit Ministri Klosi kërkoi nga të pranishmit vëmwndje për sezonin turistik të dimrit, si dhe për vitin e ardhshëm turistik duke shpresuar se do jetë një vit pozitiv turistik .