Në zonat e mbrojtura nuk do të ndërtohen më hidrocentrale, por a mjafton kjo? Sigurisht që nuk mjafton! Ministri Klosi tha se në vite në zonat e mbrojtura, u janë dhënë koncensione kompanive pa një studim të qartë për ndikimet që ka në mjedis, por edhe kompanive, që nuk kanë pasur burime financiare për ta zhvilluar këtë aktivitet, që kanë shkaktuar vetëm dëme.
Kjo është arsyeja pse ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi thotë se nw debatin për HEC-et u bën thirrje ekspertëve të mjedisit, pedagogëve, ambientalistëve, hidrologëve dhe biologëve që të gjejnë një ekuilibër të qëndrueshëm mes zhvillimit të turizmit, ekonomisë, industrisë dhe mjedisit dhe të natyrës. Vendosja e këtij ekuilibri nuk do të thotë refuzimi i njërës apo tjetrës veprimtare.
“Ne duam që të kuptojmë qartë se cilat janë rregullat mbi të cilat sot zhvillohet një aktivitet si ai i prodhimit të energjisë në natyrë, prodhimit të energjisë së pastër dhe shumë të nevojshëm në botën, ku ne kërkojmë të shkojmë përpara. Kush janë rregullat? Kjo është pyetja.
Për këtë kemi nevojë për mendimin e ekspertëve që të mos ndodhë ajo që ka ndodhur deri më tani, që nga 175 koncensione, që janë dhënë me dëshirën e mirë për të realizuar diçka, vetëm 100 prej tyre funksionojnë pasi shumë nga këto projekte janë dhënë pa firmën e ekspertëve, pa pasur një studim për zonën, për dëmet që shkakton në mjedis”, tha ministri Klosi, i cili bëri me dije se në ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit është ngritur një grup pune për hartimin e një rregulloreje që do të përcaktojë qartë kriteret që lejojnë dhe ndalojnë ndërtimin e një hidrocentrali.