Postuar më: 28/03/2018

Udhërrëfyesit Turistikë

Ju njoftojmë se ka filluar procesi i dorëzimit të dokumentacionit për t’u pajisur me certifikatën e përkohëshme me afat deri më datën 30.09.2018 për udhërrëfyesit turistik, si kërkesë e Nenit 57 të Ligjit 93/2015 “Për turizmin”.

Për t’u përfshirë në fazën e katërt të certifikimit të udhërrëfyesve turistikë, ju lutem paraqisni dokumentacionin e mëposhtëm brenda datës 11.04.2018, ora 15:00, pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Dokumentacioni që duhet dorëzuar për aplikim është si më poshtë vijon:

  1. Kërkesë e cila përmban:
  2. a) të dhënat e aplikuesit (emrin, mbiemrin, numrin personal, adresën e saktë, numrin e telefonit);
  3. b) kategorinë e udhërrëfyesit turistik, për të cilën kërkohet certifikata;
  4. c) gjuhën ose gjuhët e huaja në të cilën udhërrëfyesi do të ushtrojë aktivitetin e tij.
  5. Fotokopjen e letërnjoftimit ose pasaportës;
  6. Dëshminë e penalitetit, të lëshuar jo më herët se tre muaj përpara datës së aplikimit, e cila mund të paraqitet origjinale ose fotokopje e noterizuar (ose formularin e aplikimit për pajisjen me dëshmi penaliteti);
  7. Fotokopjen e noterizuar të dokumentit të përfundimit të studimeve të arsimit të mesëm ose të lartë;
  8. Fotokopjen e noterizuar të dokumentit që vërteton përfundimin me sukses të programit të kualifikimit të udhërrëfyesit turistik (Certifikata të trajnimeve, seminareve, ëorkshope për kategorinë përkatëse të udhërrëfyesit turistik);
  9. Programet e trajnimeve, seminareve etj. që janë kryer, si dhe institucionin ofrues të këtyre trajnimeve, seminareve.;
  10. Certifikatën e vlefshme të ndihmës së shpejtë të lëshuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar ose subjekte të tjera, vendase apo të huaja;
  11. Vërtetime pune/ kontrata pune/shërbimi ose dokumente të tjera për të vërtetuar eksperiencën në punë gjatë 5 viteve të fundit;
  12. Dokumentin që vërteton njohjen dhe aftësitë komunikuese shumë të mira në gjuhën e huaj, në të cilën do të ofrojë shërbimet e tij udhërrëfyesi turistik, të paktën në nivelin B2.
  13. Vërtetimin për pagesën e tarifës së aplikimit, në shumën 500 Lekë.

Për të bërë pagesën, aplikantët duhet të paraqiten pranë Drejtorisë së Financës së MTM, për të marrë një mandat pagese për bankën.

Për shtetasit e huaj, përveç dokumenteve të sipërpërmendura, duhet dorëzuar edhe:

  1. a) Leja e qëndrimit e shtetasit të huaj në Republikën e Shqipërisë, e vlefshme për jo më pak se një vit;
  2. b) Dokument (certifikatë/dëshmi) që vërteton njohuritë bazë të gjuhës shqipe, të lëshuar nga një institucion i certifikuar nga ministria përgjegjëse për arsimin.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit, aplikuesit do t’i nënshtrohen një testimi me shkrim dhe me gojë për vlerësimin e njohurive dhe aftësive profesionale të tyre që do të zhvillohen në datat 19-20 Prill 2018.

  •