Në ditën Kombëtare të Rinisë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ishte pjesë e eventit të organizuar nga Bashkia e Tiranës në vigjilje të vitit 2022 ku Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Kumbaro u shpreh se tashmë ka ardhur koha që të gjithë të rinjtë të angazhohen për mjedisin, pasi është kjo sfida e kohës sonë.
“Të gjitha ditët janë tuajat, të rinisë, por 8 dhjetori është momenti që bashkon të shkuarën jo shumë të largët të rinisë së cilës i përkas edhe unë, me të ardhmen që jeni ju, sepse shansi i ndryshimeve të mëdha i përket të rinjve. 30 vjet më parë, ne prindërit tuaj, revolucionin tonë e bëmë për atë që na mungonte më shumë: Lirinë e fjalës, lirinë e mendimit, të besimit, të lëvizjes, të artit, të jetës, përmes angazhimit politik që nisi nga një natë kur nuk e paramendonim se po kryenim revolucionin e me të vetmin manifest politik, vargjet e John Lennon. Sot kërkohet një tjetër revolucion prej jush, ku jeni të barabartë me moshatarët tuaj kudo në botë: Revolucioni mjedisor, i sjelljes suaj ndaj mjedisit. Ju nuk duhet të lejoni që ndotja dhe mbetjet të jenë mbreti i planetit”, u shpreh Kumbaro.
Në fjalën e saj, ministrja foli konkretisht edhe për nevojën e ndëshkimit të të gjithë keqbërësve ndaj mjedisit.
“Nëse nuk fillon sot revolucioni i riciklimit të një pjese të madhe të mbetjeve si letra, plastika dhe metalet, nëse nuk heqim nga përdorimi qeset dhe ambalazhet, nëse nuk ndalim dhe nuk ndëshkojmë dorën kriminale që ndot mjedisin dhe që shkarkon në plazhe, pyje, prapa pallatit apo buzë rrugës, do të gjendemi shumë shpejt buzë një katastrofe mjedisore. Prandaj unë sot kam zgjedhur që jo vetëm të përkujtoj, por t’ju ftoj një revolucion të madh: Revolucionin e sjelljes sonë ndaj mjedisit”, u shpreh Kumbaro.
Në këtë event përshëndetën me fjalën e tyre Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla, Ministrja e Kulturës Elva Margariti, Ministrja e Italisë për Politikat Rinore Fabiana Dadone, Ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca etj.