Postuar më: 15/09/2019

Festa lokale e Verës/ Ministri Klosi: Në vitin 2020, hapim muzeumin e verërave në Berat

Festa e verës Çobo është një nga festat lokale, pjesë e kalendarit të mbi 200 festave, të organizuara kudo në Shqipëri! Në edicionin e saj të 14-ë, kantina Çobo, më e njohura për prodhimin e verës në Berat, mblodhi në oborrin e saj banorë, vizitorë, turistë të huaj, sipërmarrës dhe personalitete, të cilët shijuan verën 100% shqiptare, nën tingujt e muzikës dhe një atmosfere të mrekullueshme festive, ku të pranishëm ishin edhe ministri Klosi, kryebashkiaku Demo dhe deputeti i PS-së, Fadil Nasufi.
“Festa e sotme është një nga festat më kulminante të gjithë sezonit turistik dhe vera Çobo jo vetëm rrit cilësinë e verës, por edhe cilësinë e mikpritjes dhe shërbimit karshi turistëve të huaj. Do vazhdojmë së bashku me kryetarin e bashkisë së Beratit që të shtojmë gjithmonë e më shmë gamën e festave lokale në Berat dhe premtimi i madh që ka ardhur edhe nga kryeministri Edi Rama është që për vitin tjetër në Berat do të ndërtohet për herë të parë muzeumi i verërave, pasi e meriton me kaq shumë kantina dhe etiketa të njohura verërash që të ketë edhe një muzeum, i cili të vizitohet nga turistët e huaj dhe vendas për të kuptuar traditën fantastike që ka krijuar familja Çobo dhe familje të tjera në qytetin e Beratit”- tha ministri Klosi, i cili theksoi se ky sezoni turistik ka qenë shumë i suksesshëm pasi Shqipëria është vizituar nga miliona turistë të huaj, qindra mijëra prej të cilëve kanë vizituar Beratin dhe kantinën Çobo.
“Festa e familjes Çobo tashmë është kthyer në një simbol për rajonin tonë që jo vetëm përfaqëson vlerat më të mira të rajonit të Beratit në nivel qarku por është tashmë një aktiviteti i cili jo vetëm frekuentohet nga dashamirësit e verës lokalë por edhe kthyer në një institucion ku tashmë marrin pjesë jo vetëm trupat diplomatikë por edhe shumë turistë që vizitojnë Shqipërinë. Ne kemi fatin më të mirë që këtu tregohen vlerat më të mira të agroturizmit , të mikpritjes që kemi, të shërbimit”- tha kryebashkiaku Demo. Ai shtoi se agroturizmi është strategji e rëndësishme për qeverinë shqiptare dhe aq më tepër për bashkinë e Beratit, i cili ka asete të jashtëzakonshme për të zhvilluar turizmin. “Ne kemi plane të mëdha për vitin 2020 dhe në bashkëpunim edhe me familjen Çobo shumë shpejt ne do të tregojmë se cfarë do të bëhet në këtë qytet të mrekullueshëm, në këtë rajon të jashtëzakonshëm që ka vlera të jashtëzakonshme përsa I përket traditës, kulturës dhe aq më shumë vetë produkteve që janë të një standarti shumë të lartë që është vetë vera e kësaj kantine, por edhe e shumë kantinave të tjera”, tha kryetari i bashkisë Berat. Deputeti Nasufi e vlerësoi kantinën Çobo si shtëpinë e mikpritjes tradicionale beratase. “I uroj suksese në edicionin e 14-të kantinës Çobo dhe siç u shpreh edhe ministri Klosi ky është modeli që do të arrijë të finalizohet me ndërtimin e muzeumit të verërave në Berat që jam i bindur që pushteti vendor do ta mbështesë fuqishëm dhe do të ketë një start që do t’i japë një dimension tjetër traditës dhe produktevet të Beratit”,- tha deputeti i PS-së.