Postuar më: 06/10/2020

Fjalimi i Ministrit z. Blendi Klosi në Kosovë

Kosovë 2020– Jo shumë kohë më parë, në mes të majave të Bjeshkëve, takova një grup të rinjsh shqiptarë që ushtronin aktivitete sportive në një zone, që vështirë të kuptohej se ishte kufi shtetëror.

Natyrshëm.

Mali nuk mund të ndahet as në mes dhe as me kufi, është një i tërë. Aq më pak mund të kuptohej kjo nga këta të rinj, që kishin gjetur e zbuluar në mes të majave që na lidhin e na ndajnë, një nga bukuritë e atraksionet turistike më të rralla tonat, Bjeshkët.

Dhe kjo është fuqia e turizmit. Të mos njohë ku dhe kush janë kufijtë.

Aq më shumë kjo përforcohet kur flasim të njëjtën gjuhë, të njëjtat tradita, të njëjtën kulturë e zakone, e më shumë sesa kaq kur karakterizohemi nga e njëjta vlerë si pak kush: MIKPRITJA.

Shtëpia e shqiptarit është shtëpia e zotit dhe e mikut. Por bashkërisht treguam se ajo është edhe e vëllaut.

Atëherë kur Shqipëria kishte ende të ngritur me vendet e BE-së, murin e lartë të hyrje daljeve me viza në kufi, ishin vellezërit tanë të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut e të Malit të Zi, ata që ngritën destinacionin e Durrësit.

Janë me dhjetra lagje, zona e bisnese që mbajnë emrat e qyteteve shqiptare, të Prishtinës, Gjakovës, Prizrenit, Pejës e Gostivarit, në destinacionin tonë më të madh turistik, bregdetin e Durrësit.

E mandej kjo u shtri edhe më tej, në jug e veri të Shqipërisë.

Në historinë e re të turizmit shqiptar, kontributi i hershëm i shqiptarëve të Kosovës, nuk duhet të harrohet.

Në 6.4 milion turistë në statistikat e 2019-ës, shqiptarët e Kosovës, janë dukshëm në krye të renditjes si preferencë të parë, Shqipërinë.

Kjo u dëshmua qartazi edhe në këtë vit të pazakontë e të vështirë për turizmin.

Flukset e pushuesve shqiptarë nga Morina, Hani i Hotit, Qaf Thana, bashkë me turizmin e brendshëm, u bënë pa asnjë diskutim shpëtues të industrisë turistike të bregdetit.

Ndaj, i nderuar Kryeministër

I nderuar Ministër,

Të nderuar sipërmarrës të agjensive dhe industrive turistike,

Vëllezër dhe Motra të Kosovës,

Ndjemë më shumë se detyrimin për Falenderimin në emër të të gjithë përpjekjeve dhe sakrificave të industrisë turistike shqiptare të bregdetit dhe jo vetëm, që sërish bëtë këtë zgjedhje si destinacionin tuaj të parë.

Kjo pritje sot, është shumë pak në raport me atë përuljen për gjithë shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut e gjithë trevave shqiptare në Rajon.

Dua të besoj se kjo përzgjedhje, nuk ka vetëm njërën anë të medaljes, atë të patriotizmit të shëndetshëm të dëshmuar me kohë nga shqiptarët e përtej Morinës.

Por edhe anën tjetër, se ne nga ana tjetër e Bjeshkëve kemi bërë e dëshmuar, krijuar e besuar se: Bregu i Shqipërisë është pa dallim i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë shqiptarët.

Rezultat i kësaj ndjesie dhe bindje, nuk janë vetëm pushuesit e vizitorët nga Kosova, por edhe fakti që tashmë dhjetra vajza e djem nga Kosova janë tashmë të punësuar në strukturat tona më serioze turistike.

Por sigurisht sërish kjo nuk mjafton. Industria turistike ka potenciale të larta ende të pashfrytëzuara në të dyja shtetet shqiptare.

Kemi akoma nevojë për të ngritur e konsoliduar oferta turistike të përbashkëta.

Është bërë tashmë një hap përpara në drejtim të identifikimit dhe promovimit.

Çelja e sezonit turistik veror në Lezhë në fillim – qershorin e këtij viti, nga të dyja ministritë përgjegjëse për turizmin, ishte simbolika më domethënese e ofertës së unifikuar turistike.

Sikundër edhe prania e përbashkët dje, në Brod të Dragashit, për celjen e sezonit turistik dimorër në Kosovë, është e të njëjtës simbolikë.

Ajo që na duhet edhe si përgjegjësi e diktuar nga Koha, është sfida për ta shndërruar turizmin në të dyja anët e Bjeshkëve në gjithëvjetore.

Natyra apo Zoti na ka bekuar me potenciale të larta të bukurive të rralla natyrore, dhe po aq historia, kultura, tradita, zakonet, trashëgimia, janë të gjitha vlera për t’u shndërruar në produkte turistike gjithëvjetore.

Duhet të nxisim vetëm bashkimin e tyre në oferta turistike, nën moton edhe të këtij eventi: SHIJO SHQIP.

Dhe ne shqiptarët na ndihmon edhe ajo që mbetet vlera jonë karakteristike: MIKPRITJA.

Por, të dashur bashkëkombas:

Përtej nevojës për patriotizmin e mirë, që për ne shqiptarët ka qënë dhe mbetet nevojë historike, koha na dikton të jemi edhe patriotë të ekonomive të forta.

Dhe ekonomia e fortë, turizmi i konsoliduar ka në themel të saj, BASHKËPUNIMIN.

Jemi shumë të vegjël për të ndërtuar ekonomira të mëdha turistike.

Nevoja për oferta turistike të përbashkëta, kapërcen kufijtë tanë.

Është nevojë rajonale. Nëse duam të dalim në tregje të largëta, të bëhemi pritës dhe atraktiv të turistëve përtej fqinjëve tanë, duhet të kemi edhe produktin turistik nën oferta të përbashkëta. Eshtë e vetmja mënyrë për të rritur turizmin tonë, për ta bërë kërkesën turistike të qëndrueshme, për forcuar ekonomitë tona.

Nuk duhet ta shohim këtë si garë në tregun turistikë, sepse secili nga ne ka cfarë të ofroj. Ndaj ofertat turistike tona duhet të jenë komplementare.

Megjithë vështirësitë e këtij viti, të papriturën dhe të panjohurën e pandemisë, rifillimi i Turizmit do të jetë më i shpejtë sesa i vonë, ndoshta edhe me një uri të rritur turistike. Ndaj duhet të jemi edhe më shumë e më shpejt gati, në konsolidimin e bashkëpunimit turistik.

Ajo që na takon për ne si vendimarrës janë lehtësirat për sektorin privat në nisma dhe komunikim, sepse e sipërmarrja e gjen vetë dhe shpejt rrugën si ta bëjë të mundur dhe konkret qëllimin.

Është epoka e Turizmit. Nuk duhet ta humbasim këtë “momentum”.