Font Resize
Postuar më: 28/12/2023

Fushatat e pyllëzimit, Kumbaro nga Gjinari/Bizneset private duhet të përfshihen në këtë proces: Siç shfrytëzojmë, duhet të kompensojmë

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e shoqëruar nga ekipi i Agjencisë Kombëtare të Pyjeve dhe kryetari i bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, në vazhdim të fushatave pyllëzuese në gjithë vendin, ishte në Gjinar për mbjelljen e 9 mijë fidanëve të pishës së zezë, një plan që do të vazhdojë deri në muajin mars me 15 mijë fidanë.

Gjinari është një zonë me pasuri të mëdha pyjore që nga  ana tjetër po kthehet edhe në një atraksion turistik natyror. Ministrja Kumbaro u shpreh se në këtë proces, duhet të përfshihen edhe bizneset private të cilat ashtu siç shfrytëzojnë pasuritë natyrore të zonës, t’i kompensojnë ato.

“Bizneset private kërkojnë që t’i shfrytëzojnë pasuritë natyrore  për biznese dhe zhvillim ekonomik, por nga ana tjetër kemi detyrimin që të kompesojmë dhe mirëmbajmë të gjithë bashkë pyjet. Në këtë zonë turistët vijnë kryesisht për natyrën. Kështu që kombinimi i Gjinarit me çka ofron tradita, me bujtinat, është destinacioni më i mirë, kështu që duhet ruajtur.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja u shpreh se në zonën e Gjinarit janë bërë çdo vit mbjellje për të rekuperuar dëmet e zjarreve.

Minsitrja Kumbaro përmendi edhe kërkesën e disa bashkive për të rishikuar bashkëpunimin mes pushtetit vendor dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, duke theksuar se nëse rregullat janë shumë të qarta ekuilibri mes zhvillimit të qëndrueshëm dhe zonave të mbrojtura është i mundur.

Ministrja Kumbaro e ka shpallur vitin 2024 si “Viti i Pyjeve” dhe në koordinimin me të gjitha bashkitë, kryesisht ato që administrojnë sipërfaqet më të mëdha pyjore do të zbatohet një program pyllëzimi, ndërgjegjësimi dhe edukimi në gjithë vendin.

 

  •