Postuar më: 23/11/2018

Klosi: Mijëra të rinj në aksionin “Të pastrojmë Shqipërinë që duam”

Aksioni kombëtar “Të pastrojmë Shqipërinë që duam” nisi në orën 9.00 të mëngjesit të ditës së sotme dhe do të vijojë deri në mbrëmje. Një ditë e veçantë, ku janë angazhuar mijëra të rinj në të gjithë Shqipërinë, në bashkëpunim me stukturat e mjedisit, prefektët dhe kryetarët e bashkive, të cilët kanë përgatitur plane konkrete veprimi, për zonat që kanë nisur dhe do të vijojnë të pastrohen. Nga Durrësi, në një nga zonat e ndotura industriale të qytetit bregdetar, ministri Klosi tha se ky kontribut vullnetar duhet përgëzuar, por se ky operacion po vijon intensivisht prej më shumë se një viti, në mbrojtje të mjedisit, si një nga angazhimet e rëndësishme të qeverisë. “Këtu jemi në një zonë, e cila është një zonë industriale, zonë e cila ësthë një zonë e ndotur dhe për këtë gjatë gjithë këtyre kohëve ne kemi folur, jemi në përgatitje të një aksioni të madh, që do të zgjidhë përfundimisht problematikat e zonës më të ndotur mbase në zonën bregdetare, që është landfilli i Porto Romanos dhe për të realizuar këtë duhet një përpjekje e përbashkët ashtu siç jemi mbledhur sot, së bashku me bashkinë, prefekturën, organet e pushtetit qendror dhe lokal në bashkinë e Durrësit, por edhe kontributin e qytetarëve. Do të ketë një zgjidhje të fundme të problematikave të landfillit të Durrësit, por kjo do të vazhdojë gjithashtu me përpjekje për të mbajtur pastër, në përpjekje për të eliminuar ndotjet, që vijnë nga makinat e përdorura, qeset plastike, nga guroret në malin e Krujës, për të eliminuar ndotjen, që vjen nga shumë industri, që tashmë kanë marrë vëmendjen një e nga një”, tha ministri Klosi.