Postuar më: 12/11/2021

Konferenca e Klimës COP26, Kumbaro bisedë me të rinjtë për mbrojtjen e mjedisit

Konferenca e Klimës COP26, Kumbaro bisedë me të rinjtë për mbrojtjen e mjedisit

Për të shënuar Ditën e Rinisë në COP26, Konferencën e Klimës që zhvillohet në Glasgow të Skocisë, Ambasada e Britanisë në Shqipëri, Ambasada e Italisë në Shqipëri dhe OKB, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit organizuan një bisedë të hapur me delegatë rinorë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe aktivistë të mjedisit, për të sjellë prioritetet e COP26 në një kontekst lokal dhe për të angazhuar të rinjtë në një dialog të vazhdueshëm për çështjet kryesore mjedisore në Shqipëri.

E pranishme në këtë takim, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se përtej angazhimeve globale që Shqipëria mori në Konferencën e Klimës në Glasgow, është kryesor ndërgjegjësimi i sa më shumë të rinjve për mjedisin. Shqetësimin e tyre, të rinjtë duhet ta përkthejnë në presion mbi vendimmarrësit, u shpreh Kumbaro.

“Një pjesë e juaja janë sot më të shqetësuarit për mjedisin dhe për klimën, e këtë shqetësim duhet ta përktheni në presion mbi vendimmarrësit, mbi ne prindërit që po marrim vendime për të ardhmen e tuaj. Por nga ana tjetër, duhet të bëni një punë të madhe me shokët e shoqet tuaja, me bashkëmoshtarët, që në diskutimet tuaja apo në rrjete sociale, mjedisi dhe respekti ndaj natyrës të jetë prioritar. Nëse mendojmë se i zgjidhim këto probleme me fshehjen prapa gishtit, nuk bëjmë gjë tjetër veçse i rikonsumojmë në formën e ndotjes. Takime e biseda të tilla nuk duhet t’i bëjmë vetëm përgjatë javës së COP26, por të jenë të përditshme. Ne i prodhojmë mbetjet, ndaj menaxhimi i mbetjeve është historia jonë. Nëse fillojmë të bëjmë këtë detyrë të parën, kemi zgjidhur shumë halle të mëdha”, u shpreh ndër të tjera Kumbaro.

Konferenca e Klimës COP26, Kumbaro bisedë me të rinjtë për mbrojtjen e mjedisit

  •