Postuar më: 12/11/2021

Kumbaro dhe Çuçi takim me drejtuesit e Policisë: Ndëshkime për krimet mjedisore, vazhdon moratorium i pyjeve dhe i gjuetisë

Kumbaro dhe Çuçi takim me drejtuesit e Policisë: Ndëshkime për krimet mjedisore, vazhdon moratorium i pyjeve dhe i gjuetisë

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro së bashku me Ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi kanë zhvilluar një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit në gjithë Shqipërinë në lidhje me ndëshkimin e rreptë të të gjithë krimeve mjedisore. Ky takim vjen pas nisjes pak ditë më parë të Planit Kombëtar të Pastrimit në Vlorë.

Ministri Çuçi kërkoi nga strukturat policore klasifikimin e krimeve mjedisore, me të njëjtin prioritet si lufta ndaj krimit të organizuar, apo krimet ndaj jetës e pronës. Për çdo metër katror territor dhe dëmtim që ndodh në të, do të ketë përgjegjës dhe përgjigjegjësi të punonjësve të policisë. Ministri deklaroi prerë se nuk do të ketë asnjë tolerim, por ndëshkim të ashpër ligjor për ndotje të mjedisit, prerje pyjesh apo dëmtim të lumenjve.

Ministrja e Mjedisit Kumbaro nënvizoi se përmes akteve ligjore, që janë duke u hartuar nga grupet e punës nga njëra anë dhe bashkëpunimit e koordinimit më të mirë në terren të strukturave të mjedisit, IKMT dhe Policisë së Shtetit, lufta ndaj krimeve mjedisore do të zhvendoset në një fazë të re, intensive. Në këtë angazhim do të ketë një rol më aktiv të Bashkive, si përgjegjëse për territorin, por roli i qeverisë qendrore do të jetë më i fortë në mbrojtjen e kujdesin ndaj mjedisit.

“Të ndosësh mjedisin, të presësh pyjet, të dëmtosh lumenjtë apo të gjuash kafshët e egra është krim dhe kjo s’ka diskutim. Duhet që abuzuesve të tillë që shkelin ligjin t’u jepet përgjigja e merituar. Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe në takimet e vazhdueshme me kryetarët e bashkive dhe prefektët e qarqeve po koordinojmë të gjitha strukturat shtetërore që të kemi efikasitetin e plotë kundër atyre që mjedisin e trajtojnë si plaçkë pa zot. Kjo nuk do të ndodhë. Mjedisi na përket të gjithëve dhe prandaj krahas pastrimit të territorit që nisi në Vlorë e po shtrihet në qarqe të tjera, do të jemi gjithmonë garantë për t’i dhënë përgjigjen e merituar kujtdo që gabimisht mendon se mund të sillet si të dojë me natyrën”, u shpreh ndër të tjera Kumbaro.

I pranishëm në takim, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano u shpreh se problematika për çështjet mjedisore qëndron. Ai tha se Policia e Shtetit, e cila zbulon ngjarje kriminale shumë të sofistikuara, i ka të gjitha kapacitetet për të gjurmuar dhe ndëshkuar edhe këtë natyrë krimi. Aktualisht strukturat vendore të Policisë janë duke u angazhuar mbi disa plane masash, për mbrojtjen më të mirë të territorit, duke u ndalur tek ndërtimet pa leje, ndotjen e mjedisit apo dëmtimin e prerjen e pyjeve.

Kumbaro dhe Çuçi takim me drejtuesit e Policisë: Ndëshkime për krimet mjedisore, vazhdon moratorium i pyjeve dhe i gjuetisë

  •