Postuar më: 26/04/2022

Kumbaro në Sarandë për javën e riciklimit: Shembull për mbrojtjen e mjedisit

Në Ditën e Tokës, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ishte në Sarandë, në përmbylljen e aktivitetit njëjavor “Saranda riciklon”.

Në 6 kosha të vendosur në shëtitoren e qytetit, qytetarët e Sarandës shprehën ndërgjegjësimin e tyre duke grumbulluar mbi 5000 shishe plastike të cilat nuk përfunduan në det.

Në mesazhin e saj, ministrja Kumbaro iu drejtua fëmijëve që kishin organizuar një ekspozitë artistike me materiale të riciklueshme, duke theksuar se ky është rasti kur ata edukojnë të rriturit.

“Unë them sot që fëmijët do të na edukojnë ne sepse është e vetmja mundësi që të ndryshojmë mentalitet, të ndryshojmë mendësi dhe ca zakone që lidhen me çka bëjme ne me tokën, mbeturinat. Si e ruajmë ne ajrin, tokën, lagjen, qytetin? Unë isha pak skeptike kur filloi ky projekt në shtator, nëse bashkia do të arrinte të mblidhte plastikën kështu siç është mbledhur në këto kosha, e më pas ta shiste për të marrë para të tjera e për t’i përdorur po prapë për bashkinë”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Në event, edhe kryebashkiaku i Sarandës Adrian Gurma tha se kjo nismë do të vazhdojë në qytet, me mbështetjen e GIZ dhe Ministrise se Turizmit dhe Mjedisit.

Sipas përllogaritjeve, riciklimi i këtyre materialeve plastike kursen 750 litra naftë dhe 350 litra vaj. Nëse vetëm këto 6 kosha do të mbusheshin çdo ditë me material për riciklim, të ardhurat që do të mund të gjeneronte bashkia do të ishin rreth 1 milion lekë në vit. Promovimi i këtij modeli riciklimi ndihmon gjithashtu në uljen e volumit të mbetjeve të cilat rrezikojnë mbushjen e shpejtë të landfilleve.

  •