110 kumbulla të kuqe u mbollën sot në një nga rrugët kryesore të qytetit të Shijakut, duke konkretizuar kështu marrëveshjen e nënshkruar pak kohë më parë midis një biznesi dhe bashkisë Shijak për fondin e pyllëzimit në kuadër të detyrimeve që biznesi ka ndaj mjedisit.
Për të inauguruar marrëveshjen, ministri Klosi dhe kryetari i bashkisë Shijak së bashku me deputetin e zonës Ilir Ndraxhi dhe të rinjtë e gjimnazit, mbollën fidanët që prej sot do të gjelbërojnë një nga rrugët kryesore pranë sheshit të qytetit. “Projekti do të vazhdojë në çdo cep të qytetit për të shtuar gjelbërimin. Po ashtu me bashkinë po shikojmë mundësinë për të krijuar disa parqe rekreative edhe në kuadër të projektit tonë të 100 fshatrave, ku 2 nga fshatrat e Shijakut, janë zgjedhur si fshatra pilot për bukuritë natyrore që ofrojnë dhe për mundësitë e shkëlqyera që kanë për agroturizëm”– tha ministri Klosi duke shtuar se me kryebashkiakun Kokomani është hartuar një plan për përfshirjen e të gjithë komunitetit shijakas, në datën 23 dhe 24 shkurt, në Ditët e Pemëve. Kryebashkiaku Ardian Kokomani bëri me dije se aksioni i mbjelljes së pemëve do të vijojë edhe në 3 rrugë të tjera të qytetit ku do të mbillen 200 fidanë bliri dhe rrapi, kontribut i ministrisë të Turizmit dhe Mjedisit.
Në përfundim të aksionit ministri Klosi apeloi sërish qytetarët që të bashkohen në Ditët Kombëtare të Pemëve, më 23 dhe 24 shkurt. “Pemët i dedikohen natyrës, i dedikohen familjes, fëmijëve që kanë në emigracion, njerëzve që kemi humbur në jetë, për t’i kujtuar ata. Pema është një simbol i gjallë i rikrijesës dhe i kujtesës. Ndaj jo vetëm dashuri për mjedisin, por edhe dashuri për familjen, për njerëzit. Kjo është thirrja jonë”- apeloi ministri Klosi.