“Në kuadër të zonave të mbrojtura ne po punojmë për ta shpallur zonën e sipërme të Vjosës ku përfshihet edhe zona ku po bëhet studimi në një zonë të mbrojtur. E bëjmë këtë pasi mendojmë se duke e shtrirë mbrojtjen nëpërmjet legjislacionit të zonave të mbrojtura ne mbrojmë shumë pasuritë natyrore dhe turistike që ka zona, arrijmë ta shndërrojmë dhe ta fusim atë në guidat e mbrojtura të burimeve natyrore dhe turistike” – tha ministri Klosi, gjatë prezantimit të projektit Aquanex, i cili parashikon evidentimin e problematikave në mjedis në dy zona: Gjirokastër e Përmet dhe monitorimin e ujërave, në lumin Vjosë dhe Drinos, me qëllim mbrojtjen e vlerave të tyre natyrore, por edhe përdorimin e tyre për qëllime turistike.
Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit u shpreh se ka ardhur koha të kuptohen më mirë vlerat natyrore si burim i pashtershëm i jetës, energjisë, turizmit dhe i ekonomisë në këtë zonë. “E kemi politikë që të gjejmë një ekuilibër të qëndrueshëm ndërmjet zhvillimeve të ndryshme industriale apo turistike me ruajtjen e mjedisit. Dhe ky projekt është 100 për 100 në këtë aspekt; sesa e kemi të mundur që në radhë të parë të vlerësojmë pasuritë me teknika shkencore, të kuptojmë se cfarë duhet të bëjnë të dyja palët, edhe qeveria shqiptare edhe ajo greke, për të menaxhuar ashtu si duhet këtë basen ujor dhe cfarë duhet të bëjmë për të ruajtur monumentet natyrore që ka kjo zonë me shumicë. Ne kemi kaluar në qeveri para pak kohësh listën e monumenteve të natyrës dhe zona e luginës së Vjosës ka disa të tilla. Ne duhet t’i ruajmë, t’i mbrojmë ato dhe besoj që kjo ësthë një përpjekje që nuk mund të vijë dot pa pasur një konsensus me komunitetin”- tha ministri Klosi.
Qeveria shqiptare po punon shumë për zhvillimin e jugut nga pikëpamja turistike dhe Përmeti përbën një nga polet e turizmit shqiptar, ku janë fokusuar disa investime të rëndësishme.