Në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve e cila kremtohet më 21 Mars, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro mori pjesë në pyllëzimin e 21 hektarëve sipërfaqe pyjore në zonën e Krushovës, në bashkinë Korçë, në vazhdim të aktiviteteve të Vitit të Pyjeve.
Në aksionin masiv të mbjelljes së këtyre sipërfaqeve organizuar nga Bashkia Korçë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Pyjeve, së bashku me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Korçës dhe Fakultetin e Shkencave Pyjore, qëllimi ishte pyllëzimi dhe rigjenerimi i vegjetacionit të dëmtuar nga zjarret e shkaktuara vite më parë.
“Më vjen shumë mirë që ndërhyjmë te kjo pjesë. Bëhet fjalë për një territor i cili është djegur masivisht në 2008-ën. Kështu që kemi ardhur t’i kërkojmë ndjesë natyrës për fatkeqësinë, por nga ana tjetër edhe për t’i dhënë një dorë rigjenerimit natyror”, u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Kumbaro tha se nismave të Vitit të Pyjeve tashmë u janë bashkuar rreth 50 bashki, me një mobilizim në të gjithë vendin për rritjen e sipërfaqeve pyjore dhe mirëadministrimin e tyre. Gjatë aktivitetit në zonën e Voskopojës, ku po mbillen mbi 40 mijë fidanë, ministrja Kumbaro vuri theksin edhe tek bashkia Korça si një ndër bashkitë me performancën më të mirë bazuar në analizën e Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, por ka ende për të bërë për sa i përket planit të menaxhimit, si një prej bashkive me sipërfaqe të konsiderueshme të pyjeve.
“Korça ka 14 ekonomi pyjore. Potenciali është i madh. Korça është një bashki që ndër prioritetet e saj ka dhe turizmin. Një komponent shumë i rëndësishëm i tij, është turizmi i natyrës me të gjithë elementet e tij dhe pyjet e kullotat janë një element shumë i rëndësishëm që duhet të vihen në shfrytëzim”, u shpreh kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo.
Kumbaro e vlerësoi shumë të rëndësishëm në Vitin e Pyjeve, partneritetin me Universitetin Bujqësor të Tiranës. “Kur flasim për planet e mbarështimit, na duhet të rishikojmë bashkë edhe metodologjinë, edhe pse me ministrin e Pushtetit Vendor po mendojmë që të ndërhyjmë me një plan kombëtar për t’i ndihmuar bashkitë në përgatitjen e planeve të mbarështimit. Me një plan mbarështimi më të mirë, bëhet edhe gjithë menaxhimi”, përfundoi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.
Gjatë këtij takimi u nënshkrua edhe një marrëveshje mes Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Fakultetit të Shkencave të Pyjeve të Univeristetit Bujqësor të Tiranës me fokus restaturimin e zonave të mbrojtura dhe monitorimin e faunës së egër.