Font Resize
Postuar më: 17/11/2023

Nënshkruhet udhëzimi i përbashkët mes tre ministrive për ndalimin e zhurmave në mjedis

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, nënshkruan udhëzimin e përbashkët për ndalimin e zhurmave në mjedis. Kjo iniciativë e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, tashmë e rregulluar me ligj vendos nivelin kufi të zhurmave të lejuara të matura me pajisjet përkatëse të certifikuara; ndan qartë kompetencat mes organeve zbatuese të ligjit si Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Inspektoriati i Shëndetit Publik; përcakton detyrimin e miratimit të hartave të zhurmave nga secila Bashki dhe ngarkon Policinë e Shtetit të vendosë masa administrative, në rast se shkelja përbën kundravajtje administrative, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Administrative.

“Ligji i zhurmave është shkruar dhe miratuar në vitin 2007 dhe tani në vitin 2023 na del nevoja ta ndryshojmë. Këto ndryshime kërkojnë t’u japin zgjidhje shqetësimeve të banorëve dhe pushuesve në lidhje me zhurmat e larta. Nga 1 janari deri më 31 tetor 2023 Shqipëria ka pritur 8.98 milionë vizitorë të huaj, që do të thotë se në të njëjtin territor katërfishohet popullsia. Vitin e kaluar qeveria miratoi ndryshimet për këtë ligj që në radhë të parë ndan qartësisht kompentencat midis insitucioneve zbatuese“, u shpreh ministrja Kumbaro gjatë fjalës së saj në takimin për nënshkrimin e marrëveshjes.

Përveçse synon ta kthejë Shqipërinë një vend që plotëson standardet evropiane për administrimin e zhurmës ky ligj rregullon bashkëjetesën brenda territorit të vendit tonë, që me flukset turistike të larta i parparin një sezoni më të sigurt dhe më intensiv veror, siç sugjerojnë 35% më shumë kontrata turizmi për vitin e ardhshëm.

  •