Nisi sot aksioni për pastrimin e Syrit të Kaltër, pas një situate emergjente, të denoncuar në platformën e bashkëqeverisjes nga qytetarë, vizitorë dhe turistë. Në praninë e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, si edhe me ndihmën e ministrisë së Mbrojtjes, vullnetarë, përfaqësues të zonave të mbrojtura, nxënës.
“Jemi në Syrin e Kaltër në disa pika simbol të turizmit shqiptar dhe në prag të sezonit turistik situata eshte realisht për t’u parë me sy kritik. Jemi këtu sot për të bërë jo vetëm një aksion pastrimi, por për të bërë edhe një rehabilitim të gjithë situatës pas ndërhyrjes së IMKT-së para disa muajsh, për ta stabilizuar atë në kuadër të sezonit të ri turistik”, tha ministri Klosi. Ai tha se ky është vetëm fillimi, pasi ndërhyrjet do të vijojnë me përmirësimin e rrugës, për t’i hapur rrugë projektit të madh të Bankës Botërore që do ta transformojë Syrin e Kaltër në një destinacion për shumë më tepër turistë të huaj. “Faleminderit të gjithë atyre që kanë qenë kritikë me Syrin e Kaltër gjatë gjithë kësaj kohe, atyre që kanë shkruar në platformën e Bashkëqeverisjes apo në rrjetet sociale dhe në fund të fundit kjo është edhe detyra jonë që të dëgjojmë zërin e qytetarëve, zërin dhe opinionin e tur operatorëve dhe ju garantoj që ka qenë një nga shqetësimet më të mëdha të gjithë operatorëve që funksionojnë në zonën e Sarandës. Turistët e parë kanë filluar të vijnë në Sarandë, krocera e parë i ka zbritur në portin e Sarandës, por situata në Syrin e Kaltër ishte lënë krejtësisht pas dore. Kjo nuk diskutohet që ështe një përgjegjësi e institucioneve shtetërore, atyre lokale po ashtu, por edhe një thirrje në kuadër të sezonit të ri turistik që kemi shumë më tepër nevojë përpjekjen e gjithë aktorëve dhe faktorëve, shoqërisë civile dhe të gjtihë qytetarëve të kësaj zone dhe kudo që ka turistë për të pasur një Shqipëri të pastër”,- tha ministri Klosi. Ai theksoi se aksioni i pastrimit do të vijojë përgjatë gjithë muajit prill dhe maj, që sezoni i ri veror të nisë me më shumë cilësi, pastërti dhe standarde, për të pritur më shumë turistë.