Font Resize
Postuar më: 12/11/2021

Nis nga Vlora Plani Kombëtar i Pastrimit, Kumbaro: Krijojmë task-force për bashkitë më problematike

Nis nga Vlora Plani Kombëtar i Pastrimit, Kumbaro: Krijojmë task-force për bashkitë më problematike

Ka nisur nga Vlora Plani Kombëtar i Pastrimit, koordinuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes, Prefektëve, bashkive përkatëse, institucioneve dhe komuniteteve që janë bërë menjëherë pjesë e këtij plani.

Nga Pylli i Sodës, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se nuk bëhet fjalë për një aksion në ditë të caktuara, por për një plan i vazhdueshëm që nis në Vlorë dhe shtrihet me shpejtësi në të gjithë territorin e Shqipërisë.

“Është përgjegjësi e atyre që kanë detyrë mbrojtjen e territorit. Nuk mund ta lëmë mjedisin në këtë derexhe. Nuk do kishte muaj më të mirë për ta nisur këtë plan në Vlorë se sa muaji nëntor. Flamuri i Kombit në Vlorë nuk ka kuptim të ngrihet pa flamurin e pastërtisë. Është e rëndësishme që të gjithë të ndërgjegjësohen për ta mbajtur të pastër mjedisin, ndërsa qeveria e ka menduar ta kthejë këtë në sistem. Në momentin kur po përgatisim buxhetin për vitin 2022, do krijohet një task-force për bashkitë më problematike që kanë popullim gjatë sezonit turistik. Na duhet të ruajmë standardet nga koshi deri në pikën fundore, ky quhet menaxhim i integruar i mbetjeve”, u shpreh ndër të tjera ministrja Mirela Kumbaro.

I pranishëm në nisje të Planit Kombëtar të Pastrimit ishte kryeministri Edi Rama, i cili përsëriti se ruajtja e mjedisit është prioritet i padiskutueshëm i këtij mandati qeverisës.

“Shqipëria e pastër është prioritet i mandatit tonë. Fillimisht do të pastrohen të gjitha pikat e nxehta dhe më pas do të parandalojmë që të mos rikrijohen më këto pika. Nuk është hera e parë që ne bëjmë aktivitete të tilla. Jemi në rrugën e zbatimit, asnjë bashki nuk do të lejohet të bëjë asgjë tjetër nëse nuk garanton të gjitha burime financiare të nevojshme për pastrimin dhe nëse nuk garanton që ato burime përkthehen në një rezultat konkret. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nxjerrë se sa i kushton pastrimi çdo bashkie dhe në bazë të kësaj do të parashikohet edhe buxheti pasardhës i bashkive. Cdo bashki sot ka në dispozicion një pikë fundore për grumbullimin e mbetjeve dhe është e patolerueshme që plehrat të grumbullohen në mes të rrugës. Pikat fundore janë qoftë pikat teknologjike të trajtimit të mbetjeve qoftë edhe në landfillet. Asnjë bashki nuk do të lejohet që për justifikime të pajustifikueshme në vend që ti çojë ato në pikën fundore që krijojë pika të tjera të paligjshme grumbullimi dhe për këtë ligji parashikon sanksione për kryetarët e bashkive dhe vetë bashkitë.  Është kollaj për bashkitë që duke i hedhur plehrat rrugëve. Pika më e nxehtë është dhe pika më e rëndësishme për turizmin dhe ekonominë tonë sot. Është e patolerushme që kryetarët e bashkive bregdetare ta konsiderojnë këtë si punë angari. Pastrimi duhet të jetë në maksimum”, tha Rama.

Të pranishëm ishin gjithashtu Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, Prefekti i Qarkut të Vlorës Flamur Mamaj, deputetë të qarkut të Vlorës, drejtues të agjencive dhe institucioneve të ndryshme shtetërore, si edhe forca të ushtrisë.

Nis nga Vlora Plani Kombëtar i Pastrimit, Kumbaro: Krijojmë task-force për bashkitë më problematike

 

  •