Postuar më: 11/09/2019

Shqipëria, për herë të parë në podiumin e Organizatës Botërore të Turizmit, në Shën Petërsburg

Shqipëria ngjitet për herë të parë në podiumin drejtues të Organizatës Botërore të Turizmit. Mbledhur në Shën Petërsburg të Rusisë, Asambleja, ka konfirmuar në postin e zevëndëvendës Presindetit të Asamblesë së Përgjithshme për Europën, ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. Kjo është hera e parë që Shqipëria mban një pozicion të tillë që prej anëtarësimit të saj në OBT, në vitin 1993. Në podiumin drejtues të Asamblesë së organizatës me 148 shtete anëtare,
Ministri Klosi drejton disa nga panelet e punimeve të organit më të lartë drejtues të Organizatës ku po diskutohen çështjet më të rëndësishme të industrisë turistike, si heqja e regjimit të vizave si shtysë për rritjen e turizmit, zhvillimi i tregjeve turistike, turizmi i natyrës, turizmi dhe edukimi profesional, si binome të pandara, si edhe tendencat e reja në zhvillimin e kësaj industrie.
Ministri Klosi vlerësoi rëndësinë e të qenit pjesë e kësaj organizate si dhe rolin e tij në pozicionin e zv presidentit të Asamblesë, si përfaqësues i shteteve europiane. “Është shumë e rëndësishme të theksohet që Shqipëria tashmë konsiderohet një destinacion i ri turistik, një destinacion me shumë të ardhme, por që ka nevojë të diskutojë për disa problematika. Dhe në këtë asamble u diskutuan problematika që shqetësojnë turizmin europian, rajonal dhe Shqipërinë po ashtu, problematika që kanë të bëjnë me etikën e turizmit, me politikat që ndiqen për turizmin, por në radhë të parë me politikat që kanë të bëjnë me rëndësinë që ka turizmi për punësimin e më shumë njerëzve”- tha ministri Klosi nga Shën Petërsburg. Ai shtoi se në asamble u diskutua edhe për shkëmbim përvojash dhe projektesh të përbashkëta me vendet e rajonit, të cilat do të jenë tashmë shumë më tepër në fokus të punës së ministrisë së Turizmit në Shqipëri për të përfaqësuar këtë zhvillim turistik në vendet e rajonit. “Është shumë e rëndësishme për të kuptuar që turizmi tashmë është bërë një biznes dhe si biznes ka edhe kërkesat e tij të konkurrimit të vazhdueshëm dhe prandaj ne duhet të përgatitemi për të qenë në të njëjtin hap me vendet më të zhvilluara europiane të konkurrencës turistike e pse jo për t’u shndërruar në një destinacion konkurrues edhe me vendet e rajonit që padyshim edhe në konference evidentohen si sukseset më të mëdha të turizmit botëror”- tha ministri Klosi, nga sesioni i 23-ë i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës Botërore të Turizmit (UNTWO).