Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
|
Postuar më:
|
Data e Mbylljes:
|
Nr.Komenteve: 0
|
Nr.Shikimeve: 1274
|
Statusi: Konsultim i hapur
V E N D I M
(projekt)
(Nr._________ datë__________ 2021)
PËR
Miratimin e kostove të përllogaritura për pyllëzim kompesues në rastet e ndryshimit të destinacionit tË fondit pyjor
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5 të nenit 5, të ligjit nr. 57/2020, datë 30.04.2020, “Për pyjet ”, me propozimin e Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave;
V E N D O S I :
Përcaktimin e kostove të përllogaritura, që subjektet duhet të paguajnë paraprakisht për pyllëzimin kompensues, si rezultat i ndryshimit të destinacionit të përdorimit të fondit pyjor, të lejuara nga ligji.
Për qëllim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë kuptimin:
“Destinacion” është kategoria/forma e përdorimit të fondit pyjor.
“Kosto të përllogaritura”, janë shuma e shpenzimeve materiale dhe sasitë e punës së gjallë duke përfshirë mirëmbajtjen dhe shërbimet kulturale të nevojshme, për të realizuar pyllëzimin e detyrueshëm të sipërfaqeve pyjore, të cilave u ndryshon destinacioni i përdorimit, në sajë të një aktiviteti të miratuar paraprakisht dhe të lejuar nga ligji për pyjet.
“Shërbime kulturale”, janë shërbime të cilat kryhen në objektet e pyllëzuara artificialisht, të tilla si zëvëndësimi i fidanëve të tharë, ujitja, prashitja, plehërimi dhe hijëzimi i fidanëve, për një periudhë kohore jo më pak se 3 vjet, duke përfshirë edhe mbrojtjen e objektit.
“Rehabilitim”, është tërësia e masave që merren, për rigjenerimin dhe kthimin në gjendjen natyrore të njëjtë ose të përafërt me atë të sipërfaqes pyjore të cënuar për shkak të ndryshimit të destinacionit.
sipërfaqet e fondit pyjor, të cilat i nënshtrohen ndryshimit të destinacionit për shkak të një aktiviteti të miratuar mbi to, zëvendësohen dhe/ose kompensohen nëpërmjet rehabilitimit të sipërfaqeve të tjera të fondit pyjor të degraduar. Llogaritja e sipërfaqeve zëvendësuese dhe/ose kompensuese është si vijon:
a) e barabartë me 3 (tre) fishin e sipërfaqes që hiqet nga fondi pyjor, për pyjet me formë qeverimi trungishte dhe cungishte.
b) e barabartë me sipërfaqen që hiqet nga fondi pyjor, për pyjet me formë qeverimi shkurre, si dhe për sipërfaqet me bimësi pyjore.
4. Kostot e pyllëzimeve, kostot e mirëmbajtjes së objekteve të pyllëzuara nëpërmjet shërbimeve kulturale dhe kostot për mbrojtjen e sipërfaqes së pyllëzuar objekt i kompensimit, llogariten mbi bazën e përcaktimit të kostove si më poshtë:
Kosto e projektuesit;
Kosto e zbatuesit dhe/ose drejtuesit teknik (mbikëqyrësit të punimeve);
Kostot e lidhura me punën e gjallë dhe me operacionet e punës gjatë pyllëzimit (përgatitje objekti, hapje gropash, mbjellje, etj);
Kostot e lidhura me çmimin e fidanëve;
Kostot e lidhura me skemën e pyllëzimit;
Kostot e lidhura me shërbimet kulturale për një periudhë jo më pak se 3 vite;
Kostot për mbrojtjen (ruajtjen) e objektit nga dëmtimet për një periudhë jo më pak se 3 vite.
Detajimet për llogaritjen e kostove, skemat e pyllëzimit në funksion të objektit të pyllëzimit dhe të llojit, modelet përkatëse, etj., bëhen në përputhje me udhëzimin e Ministrit, të dalë në zbatim të pikës 5, nenit 5, të ligjit 57/2020 “Për pyjet”.
Kostot e pyllëzimit kompensues, llogariten nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki, në momentin e paraqitjes së kërkesës nga subjekti për fillimin e procedurës të heqjes nga fondi pyjor. Kostot e përllogaritura i bashkëngjiten raportit teknik-ekonomik të hartuar dhe miratuar nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki dhe i përcillen ministrinë përgjegjëse për pyjet, për vijimin e procedurës për heqjen nga fondi pyjor të sipërfaqes, ku do të ushtrohet aktiviteti i lejuar dhe/ose i miratuar. Modelet përkatëse të projekteve të pyllëzimit dhe kostove respektive detajohen në udhëzimin të Ministrit.
Pagesa e kostove të përllogaritura të pyllëzimit kryhet në llogarinë bankare të bashkisë, e cila ka në juridiksionin e saj sipërfaqen pyjore të cënuar dhe pagesa kryhet nga subjekti përfitues, kur ai nuk merr përsipër kryerjen e pyllëzimit kompensues. Në këtë rast pyllëzimi kompensues realizohet nga bashkia dhe/ose subjekti që ka në administrim sipërfaqen.
Subjekti kryen pagesën jo më vonë se 10 ditë, nga dita e marrjes dijeni të aktit të miratimit të heqjes nga fondi pyjor dhe/ose ndryshimit të kategorisë së përdorimit, nga autoriteti përgjegjës shtetëror. Bashkia pasi konfirmon pagesën e kryer në llogari të saj, pajis subjektin me një dokument që vërteton shlyerjen e detyrimit për koston e pyllëzimit kompensues si dhe realizimin e pyllëzimit kompensues nga vetë bashkia. Një kopje e këtij dokumenti i përcillet për dijeni, strukturave përgjegjëse për pyjet në ministrinë përgjegjëse për pyjet.
Bashkia dhe/ose subjekti që administron sipërfaqen, brenda 2 (dy) viteve nga data e derdhjes së pagesës në llogarinë e saj, realizon procesin e pyllëzimit sipas projektit të miratuar nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve.
Në rast se subjekti merr përsipër të realizojë vetë procesin e pyllëzimit kompensues, 30 ditë pas aktit të miratimit të heqjes nga fondi pyjor dhe/ose ndryshimit të kategorisë së përdorimit subjekti lidh marrëveshje me bashkinë dhe/ose subjektin që ka në administrim sipërfaqen, nëpërmjet të cilës angazhohet për realizimin e detyrimit të pyllëzimit kompensues. Pyllëzimi kompensues realizohet nga subjekti për një periudhë jo më vonë se tre vite, nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes dhe pas përfundimit të pyllëzimit, sipas projektit të pyllëzimit dhe kërkesave të marrëveshjes, objekti i pyllëzuar i dorëzohet bashkisë dhe/ose subjektit që administron sipërfaqen.
Ngarkohen për zbatimin e këtij vendimi Bashkitë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Pyjeve.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit ne Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Edi RAMA
Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim