Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
|
Postuar më:
|
Data e Mbylljes:
|
Nr.Komenteve: 0
|
Nr.Shikimeve: 3911
|
Statusi: Konsultim i mbyllur
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
PROJEKTLIGJ
PËR SHPALLJEN E MORATORIUMIT TË GJUETISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, me qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie.
Neni 2
Objekti dhe fusha e veprimit
Ky ligj përcakton rregullat që do të zbatohen gjatë ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Neni 3
Pezullimi i përdorimit të zonave të gjuetisë dhe pezullimi i gjuetisë në zonat e mbarështimit të faunës së egër
1. Përdorimi i zonave të gjuetisë, të dhëna për këtë qëllim nëpërmjet ofertës publike, sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë, pezullohet.
2. Kontratat për mbarështimin e faunës së egër janë të vlefshme, por edhe në këto zona, ku mbarështohet fauna e egër, nuk mund të ushtrohet gjuetia deri në afatin e zbatimit të këtij ligji.
Neni 4
Përjashtim nga fusha e veprimit
1. Përjashtohen nga fusha e zbatimit të nenit 2 të këtij ligji:
a) gjuetia në rastet e konstatimit të mbipopullimit të një lloji të faunës së egër, në zonat e lejuara për gjueti dhe në rezervatet e mbarështimit, sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë;
b) gjuetia për qëllime kërkimore-shkencore.
2. Përjashtimi, i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për mjedisin.
Neni 5
Afati i zbatimit
Afati i zbatimit të këtij ligji është pesë vjet, nga data e hyrjes së tij në fuqi.
Neni 6
Organet e kontrollit
1. Organet që monitorojnë rregullat për ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë:
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nëpërmjet institucioneve të varësisë brenda fushës së përgjegjësisë që mbulon;
Ministria e Brendshme nëpërmjet Inspekoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë së Shtetit;
Strukturat përgjegjëse kontrolluese/inspektuese në bashki.
2. Veprimtaria kontrolluese, sipas këtij neni, ushtrohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundravajtjet administrative.
3. Të drejtën e vendosjes së gjobës e kanë strukturat që janë përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.
4. Shqyrtimi dhe marrja e vendimit përfundimtar dhe ankimi ndaj tij bëhet në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, si dhe me legjislacionin në fuqi për kundravajtjet administrative.
Neni 7
Sanksionet
1. Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen si më poshtë:
a) kur shkelja kryhet e organizuar nga operatorët e tureve të gjuetisë, shoqatat e gjuetarëve ose federatat e gjuetarëve, subjekti që e organizon dënohet me gjobë në masën 800 000 (tetëqind mijë) - 1 000 000 (një milion) lekë;
b) kur shkelja kryhet nga një person ose personi është pjesëtar i subjekteve organizuese, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, personi dënohet me gjobë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) - 100 000 (njëqind mijë) lekë.
2. Në rastet e përsëritjes së shkeljes, nga subjektet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij neni, përveç dënimit me gjobë, vendoset si dënim plotësues edhe heqja e lejes së gjuetisë, si dhe konfiskimi i armës së gjahut.
Neni 8
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim