Font Resize

Turizmi dhe Mjedisi

Turizmi

Turizmi si prioritet

Në vitet e fundit, industria e Turizmit ka rritur kontributin e saj në ekonominë e vendit në terma monetarë dhe në ato të punësimit. Në katër vitet e ardhshme, Qeveria do të nxitë diversifikimin e turizmit në mënyrë që të kemi një turizëm më të qendrueshëm dhe gjithëvjetor. Objektivat që synohen janë:

  • Centralizmi i procesit të planifikimit në turizëm, reformim i institucioneve, agjencive që merren me turizmin.
  • Vendosje e rregullt në treg e të gjithë operatorëve ekonomikë në fushën e turizmit (agjenci, operatorë turistikë, udhërrëfyes dhe struktura mikpritëse).
  • Përmirësimi i legjislacionit do të shoqërohet edhe me përmirësimin e të dhënave si mjeti kryesor për matjen ekonomike të turizmit.
  • Mobilizim i aktorëve që merren me turizmin dhe komunikim ni vazhdueshëm me komunitetin.
  • Kontroll i cilësisë dhe i standardeve në strukturat mikpritëse

 

Do të konsolidohen 4 destinacione turistike kombëtare; Alpet Shqiptare, Jugu i Ri, Portet e Marinat, Tirana;

  • Alpet Shqiptare – Një destinacion i bazuar në ecjen në mal (trekking), kjo e lidhur me natyrën, aktivitetin dhe turizmin sportiv.
  • Plazhet e Jugut dhe kombinimi me malet. Aeroporti i ri në jug do të sjellë një përmirësim të rëndësishëm.
  • Marinat dhe portet kanë një potencial të lartë për thithjen e turistëve të huaj dhe megjithëse në Shqipëri është rritur hyrja nga deti janë mundësitë të zhvillohen edhe 6 pika të reja portuale me shkallë të lartë shfrytëzimi.
  • Tirana do të vazhdojë të përmirësohet në infrastrukturë për ta kthyer atë në një qender atraktive për evente të biznesit rajonal dhe vizitorët e fundjavës, por edhe qendër kulturore e turistike.

 

Investimi në dije dhe aftësi do të jetë prioritet për zhvillimin e turizmit. Kjo do të synojë nxitjen e një force punëtore me arsimin dhe aftësitë e duhura në sektorin e turizmit, duke theksuar edukimin dhe trajnimin e vazhdueshëm të personelit në të gjitha nivelet.

Në sektorin e turizmit në mandatin e dytë Qeveria do të ndërtojë marketim dhe promocion që do të synojë mediat digjitale dhe sociale rajonale dhe ndërkombëtare.

Shqipëria do të krijojë brandin e vet dhe do ta bëjë atë sa më unik. Ky brand do të promovohet me inteligjencë dhe me mjete inovative; me spote të reja vjetore që do të nxisin kureshtjen për zbulim të destinacioneve të panjohura.

 

Turizmi Kulturor

Në mandatin 2017-2021, Qeveria ka prioritet ruajtjen dhe përmirësimin e standardit të cilësisë në prodhimet kulturore, intensifikimin e investimeve në këtë sektor, pavarësimin e skenës kulturore nga strukturat publike (duke shtuar burimet e financimit dhe partneritetet publik-privat) dhe shfrytëzimin e kulturës si burim ekonomie dhe turizmi.

Brenda mandatit 2017-2021 do të përfundojnë punimet për rikonstruksionin e plotë të Teatrit të Operës dhe Baletit, do të përfundojë qendra multifunksionale e artit “Turbina”, do të investohet në qendra kulturore multifunksionale në qytete ku Rilindja Urbane ka rritur ndjeshëm interesin për kulturën.

Në Tiranë investimet kulturore do të kenë tri prioritete në këtë mandat të dytë: rikualifikim dhe rikonceptim të Muzeut Historik Kombëtar; rikonstruksion të Bibliotekës Kombëtare; rehabilitim të Galerisë Kombëtare të Arteve si një qendër e rendësishme e historisë se artit shqiptar. Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës do të fillojmë gjithashtu ndërtimin për Teatrin e Ri Kombëtar, dhe ndërtimin e një Muzeu të Artit Bashkëkohor në akset e reja infrastrukturore që po i shtohen kryeqytetit.

Kultura jo si shans për disa, por si e drejtë reale për të gjithë do të konkretizohet në vazhdimin e reformës në institucionet e artit dhe në politikat kulturore, ku do të theksojë me forcë “edukimin përmes kulturës” në standarde profesionale. Edukimi masiv me art e kulturë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, duke ndërhyrë në kurrikulat e shkollës nga njëra anë dhe duke përfshirë në çdo institucion arti linjën pedagogjike dhe edukative nga ana tjetër, do të jetë prioritet në mandatin e dytë.

Trashëgimia kulturore si një kombinim i programit të Rilindjes Urbane me atë të rehabilitimit të qendrave historike, do të konsolidojë modelin e suksesshëm të rijetësimit të trashëgimisë kulturore me destinacion turistik.

Prioritet do të marrë kombinimi i turizmit kulturor me agroturizmin përmes programit të Rilindjes Rurale që do të synojë restaurimin e qendrave historike të fshatrave me potencial historic si QH Rehovë, QH Theth, QH Dhërmi, QH Vuno, QH Përmet.

Do të promovohen itinerare të reja turistike me karakter kulturor si “Rrugët e besimit”, korridoret e vjetra historike dhe tregtare, si “Via Egnatia”, duke kombinuar trashëgiminë kulturore, kulinarinë dhe artizanatin.

“Rrugët e Kujtesës” janë gjithashtu një itinerar unik i Shqipërisë që do të vijojnë të nxjerrin në pah aspektin historik dhe edukativ të siteve të ish-diktaturës si Spaçi apo Tepelena, në vijim të projekteve tashmë të njohura muzeale të Kujtesës.

Në skenën ndërkombëtare, kultura do të vijojë të forcojë praninë e saj cilësore si pasaporta jonë më e mirë.

 

Mjedisi

Mjedisi është jo vetëm pasuri e shumëllojshme ekosistemesh, por edhe një burim ekonomie që duhet përdorur me kujdes e strategjikisht dhe ne jemi të vetëdijshëm për detyrimin institucional, social dhe moral që të mirëmenaxhojmë dhe mbrojmë këtë pasuri kombëtare në interes të qytetarëve dhe të brezave që vijnë.

Parandalimi dhe kufizimi i erozionit është i lidhur direkt me përmirësimin e kushteve të mjedisit dhe në plan afatgjatë ndikon drejtpërdrejt cilësinë e jetesës. Për këtë qëllim, ne kemi parashikuar pyllëzim me ritme të shpejta dhe ngritje të veprave të natyrave të ndryshme hidroteknike, me qëllim disiplinimin e rrjedhës së ujërave në shtretërit e lumenjve.

Përmirësimi i cilësisë së ajrit përbën një tjetër prioritet mjedisor të Qeverisë. Gjatë këtij mandati do të instalojmë pajisje monitorimi të ndotësve të ajrit në 12 qytetet kryesore në vend. Qeveria do të hartojë Planin Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të zonave të mbrojtura (ZM), Parqeve Kombëtare (PK), Rezervateve Natyrore Strikt (RNS), për të mbrojtur ekosistemet e tyre, por edhe për t’i integruar ato në një plan afatgjatë me projektet infrastrukturore dhe turistike.

Trajtimi i mbetjeve si lëndë të para do të bëhet në përputhje me konceptin e sistemeve të ekonomive qarkulluese, në shërbim të përdorimit me kriter dhe ruajtjes së burimeve të lëndëve të para.