Almira Xhembulla lindi në Dibër, më 6 shkurt 1979.
Në vitin 2001 përfundoi studimet e larta në degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Histori-Filologjisë.
Në vitin 2013 kreu studimet Master pranë Universitetit Europian të Tiranës, dega Marrëdhënie Publike/Politike-Institucionale.
Ajo është trajnuar më tej në fusha të ndryshme ekspertize, si “Avokatësi dhe Lobim” në Oksford, “Zhvillimi i sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme” në Torino, si dhe ka marrë pjesë në shumë trajnime të realizuara nga ekspertë ndërkombëtarë mbi menaxhimin e organizatave, në zhvillimin rural dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Përfshirja e Znj.Xhembulla në sektorin e shoqërisë civile nis në vitin 2002 dhe përfundon në 2017. Fillimisht punoi si oficere projekti për rininë pranë Qendrës së Edukimit dhe Komunikimit në Peshkopi, një projekt i financuar nga Qeveria Daneze. Në 2004 punoi si Këshilltare për Avokatësinë dhe Lobimin pranë SNV Ballkan (Organizatë Hollandeze për Zhvillim). Që nga 2012 e deri më 2017 punoi si Këshilltare për pyjet pranë Fondacionit Ndërkombëtar “CNVP” (Bashkojmë Vlerat e Natyrës me Njerëzit), duke kontribuar në hartimin e strategjive zhvilluese, rritjen e ndërgjegjësimit për zhvillimin e integruar rural dhe diversifikimin e ekonomisë rurale në kombinim me aktivitetet turistike.
Znj. Xhembulla është autore e disa moduleve, shkrimeve dhe materialeve në gazetat mjedisore. Gjatë këtyre viteve njihet gjithashtu për rolin e saj aktiv në promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin ekonomik të grave në Shqipëri. Gjithashtu, ajo është përfshirë në fushata të ndryshme të avokatësisë për të krijuar një mjedis ligjor të përshatshëm për menaxhimin e qendrueshëm të burimeve natyrore.
Në vitet 2017-2021 Almira u zgjodh deputete e Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë ku përfaqësoi Qarkun e Dibrës . Gjatë mandatit të saj ajo ishte një zë aktiv duke dhënë një krontribut real në promovimin e potencialeve natyrore dhe turistike të Shqipërisë përfshirë Dibrën, si dhe pjesë e një rrjeti të gjerë aktivistësh dhe organizatash në këtë fushë.
Është njohëse shumë e mirë e gjuhës angleze dhe asaj italiane.