Vilma Bello lindi më 27 qershor 1975 në Vlorë. Në vitin 2009 fiton gradën “Doktor i Shkencave” në fushën e gjuhësisë nga Universiteti i Tiranës, pasi ka kryer studimet pasuniversitare pranë departamentit të gjuhësisë të Fakultetit Histori-Filologji, duke mbrojtur në vitin 2006 diplomën “Master” në fushën e terminologjisë.
Po në 2009 fiton titullin akademik “Docent” nga Këshilli i Profesorëve në Fakultetin e Shkencave Humane në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”. Znj. Bello është diplomuar për gjuhë-letërsi si “specialiste e gjuhës shqipe” në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Histori-Filologjisë, në vitin 1998.
Znj. Bello, me profesion pedagoge dhe studiuese, filloi karrierën e saj akademike dhe pedagogjike në 1998 si pedagoge e jashtme në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali” dhe mësuese e gjuhë-letërsisë në shkolla të arsimit parauniversitar.
Nga viti 2004 e në vazhdim është pedagoge në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali” në lëndët kryesore “Sintaksa e gjuhës shqipe”, “Leksikologjia dhe semantika e gjuhës shqipe”, “Kultura e gjuhës”.
Gjatë viteve 2010 – 2012 Znj. Bello ka qenë zv.dekane e Fakultetit të Shkencave Humane dhe prej 2016 deri në 2017 ishte Shefe e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”.
Vilma Bello është autore e artikujve dhe fjalimeve të shumta mbi gjuhën shqipe. Interesat dhe aktivitetet e saj akademike ndryshojnë në një spektër të gjerë, nga raste specifike të mësimit të gjuhës deri tek studimet e pastra teorike dhe shkencore mbi semantikën.
Angazhimi i saj politik filloi në 2009 kur u bë anëtare e Partisë Socialiste. Gjatë viteve 2015-2017 znj. Bello ishte anëtare e Këshillit Bashkiak të Vlorës si përfaqësuese e Partisë Socialiste.
Gjatë viteve 2017-2021 Znj. Bello ishte anëtare e Parlamentit Shqiptar të zgjedhur në qarkun e Vlorës dhe Nënkryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Ajo ka njohuri shumë të mira në anglisht dhe italisht.
Znj. Bello është e martuar dhe ka 2 vajza.