Font Resize
Postuar më: 18/12/2018

Diplomohen 16 të rinjtë e parë për Menaxhim Sporti dhe Turizmi

Një ditë e veçantë për 16 të rinjtë e parë që u diplomuan në nivelin e dytë të studimeve, master professional për Menaxhim Sporti dhe Turizmi. Diplomimi i studentëve nuk është i rëndësishëm vetëm për të rinjtë, prindërit e tyre dhe arsimin, por edhe për tregun e Turizmit, që sipas ministrit Klosi ka nevojë për profesionistë që e bëjnë turizmin me standarde dhe shërbime cilësore, për të pritur vitin e ardhshëm më shumë turistë. “Ne sot kemi mundësinë reale në Shqipëri që të pranojmë më shumë turistë, por pranimi i më shumë turistëve do të thotë pranimi i më shumë shërbimeve dhe kush do të jenë në menaxhim, psh në Federatën Shqiptare të Rafting ne kemi problem shumë të madh. Ka hapësira të dyfishohet, trefishohet, katërfishohet si biznes, por nuk kemi guida. Të njëjtën gjë me alpinizmin, të njëjtën gjë me ecjet në natyrë, me guidat profesionale të cilat ne nuk kemi element të kualifikuar dhe zgjedhja që kanë bërë këto djem e vajza të shkëlqyera është një zgjedhje e drejtë për më shumë punësim”, tha ministri Klosi, i pranishëm në ceremoninë e diplomimit të 16 studentëve në universitetin e Sporteve. Ministri Klosi komentoi indirekt edhe debatin e krijuar ditët e fundit për arsimin e lartë, për të cilin mendon se mbi të gjithë janë universitetet ato që drejtojnë studentët drejt një arsimi më cilësor dhe që lidhet direct me tregun e punës. “Unë kam bindjen që edhe në këtë debatin e madh që kemi për reformën e universitetetve ajo cfarë po ndodh në këtë sallë është në fund të fundit edhe thelbi i bisedës. Një grup profesorësh kuptuan realitetin , në bashkëpunim me kompani biznesi arritën të kuptojnë që këtu ka nevojë për një master të profilizimit të studentëve që dalin nga ky fakultet për të gjetur një treg që është bosh, një treg që ka nevojë për kuadër, që ka pagesa të larta”, tha ministri Klosi.

  •