Nga stenda e “Smile Albania”, e ngritur në aeroportin “Nënë Tereza”, i shoqëruar nga drejtuesit më të lartë të kompanisë së fluturimeve Israair dhe ambasadorin e Izraelit në Shqipëri, ministri Klosi bëri publik lajmin se Izraeli group do të vendosë fluturimin e katërt charter në javë, me destinacion Telaviv-Shqipëri. “Falenderoj kompaninë për numrin e madh të turistëve izraelitë që kanë ardhur në Shqipëri gjatë verës së këtij viti dhe numrat janë realisht impresionues nga viti i kaluar dhe nga një vit më parë, numri është trefishuar duke shkuar në 20 mijë turistë izraelitë që janë futur deri në fund të muajit Qershor”- tha ministri Klosi. Shkak për këtë vendim, sipas ministrit Klosi, janë shërbimet e përmirësuara në tregun e turizmit në Shqipëri dhe po ashtu investimet në tregun e hotelerisë, të cilat kanë bërë që përfaqësuesit e kompanisë së fluturimeve Israair të dyfishojnë numrin e charter-ave për vitin tjetër duke e disafishuar edhe numrin e turistëve nga Izraeli. “Kjo mundësi e shtuar krijon padyshim një destinacion të ri, që do të ndiqet edhe nga kompanitë e tjera izraelite të cilat e shikojnë Shqipërinë si një diamant në sektorin e turizmit dhe si një perspektivë e re e turizmit izraelit. Pra në gjuhën e shifrave rritja e avionëve nga Israair është impresionuese, vjet për herë të parë u testuan dy avionë në javë dhe vetëm për dy muajt e verës. Sivjet jemi në 4 avione në javë pothuajse për të gjithë periudhën nga prilli deri në shtator dhe ajo çfarë premtojnë drejtuesit më të lartë të Israair, me të cilët kemi një dakordësi tashmë është që vitin tjetër të ketë 7 fluturime në javë”- tha ministri Klosi. Ai shtoi se me drejtuesit e Israair biseduan edhe për mundësinë e artë që shtohet me hapjen e aeroportit të Kukësit, i cili mund të jetë një destinacion shumë interesant për turistët e Izraelit, jo vetëm për Shqipërinë, por natyrisht për të parë edhe mundësinë e Malit të Zi, Kosovës, Serbisë dhe të gjithë rajonit përmes këtij aeroporti.