Font Resize
Postuar më: 19/03/2019

Klosi: Regjistrimi i pyjeve, proces jo i lehtë, por kemi rezultatet e para konkrete

Sektori i Pyjeve ka qenë vazhdimisht objekt i ndryshimeve si rezultat i reformës territoriale, decentralizimit apo programeve të tjera institucionale, për rrjedhojë ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka ndërtuar një strategji të qëndrueshme dhe analizë të thellë në këtë sektor. Një nga këto është projekti i regjistrimit të pyjeve dhe kullotave, që po zbatohet në të gjithë Shqipërinë, i cili do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në aspektin politik, ekonomik, social dhe ekologjik të vendit. Më në fund bëhet realitet kalimi i pronësisë së pyjeve dhe kullotave te bashkitë. Pronaret e reja të tyre, ato që do të menaxhojnë në terren investimet dhe shfrytëzimin e tyre në dobi të mjedisit, qytetarëve dhe ekonomisë “Është një proces që nuk ka qenë i lehtë, proces që ka vite që projektohet por që tashmë ne kemi fillimet e para të disa rezultateve konkrete. Ajo që shikojmë në hartën e Shqipërisë, është që vetëm një pjesë e saj është e mbuluar nga kjo fazë e parë e projektit , por që kjo pjesë padyshim përfaqëson edhe një nga potencialet e vërteta të fuqisë sonë pyjore. Po të shikosh në hartat e tjera të këtyre 19 bashkive, edhe në këtë hartë që është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe në 728 zona kadastrale vetëm një pjesë e tyre janë regjistruar”- tha ministri Klosi. Ai pranon se ka ende një sërë zonash të tjera të cilat akoma nuk i kanë zgjidhur problematikat e tyre. “Ne sot do të dorëzojmë certifikatat e para simbolike për bashkinë e Kolonjës duke shënuar kështu fillimin e një procesi për të gjithë Shqipërinë. Kryetarët e bashkive, nga sot janë posedues realë në zyrat e gjendjes civile me këto pyje dhe mund t’i shfrytëzojnë ato si pasuri të vërtetë. Sa është mundësia që kryetarët e bashkive dhe gjithë komuniteti të shfrytëzojnë këtë lëndë drusore dhe të prodhojnë nga kjo ekonomi”- tha ministri Klosi, nga Kolonja. Sipas ministrit, krijimi i kësaj mundësie të re ligjore synon të frenojë deri në eliminimin përfundimtar shfrytëzimin informal të pyjeve dhe kullotave, por krijon edhe hapësira të reja për investime, do të rrisë numrin e të punësuarëve si dhe do të zhvillojë taksën e pasurisë së paluajtshme, si burim i rëndësishëm i të ardhurave të njësive të qeverisjes vendore.

Të rejat e fundit

  •