Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, vizituan parkun e ri të liqenit të Paskuqanit, një atraksion i ri i qarkut të Tiranës, gjelbëruar me 32 mijë pemë gjatë dy viteve të fundit.
Kumbaro dhe Nikolla morën pjesë në mbjelljen e 150 fidanëve të rinj në vazhdim të nismave për vitin e Pyjeve. Ministrja Kumbaro u shpreh se dy vjet më parë ky park ka qenë një hapësirë boshe.
“Sot pas dy vjetësh përveçse ka krijuar një atraksion të ri në qarkun e Tiranës, ajo që e theksoj unë të rëndësishme është modeli që japim dhe fakti që përfshijmë edhe gjithë komunitetin. Më vjen shumë mirë që me bashkinë e Kamzës, pikërisht në vitin e Pyjeve, arrijmë të tregojmë se kur punojmë të gjithë bashkë, e krijojmë modelin e natyrës dhe mbrojtjes së Pyjeve”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, u shpreh se bashkia Kamëz ka bërë një punë të jashtëzakonshme me rehabilitimin dhe transformimin e këtij parku. “Kur kryefjalë është puna të gjitha janë të mundura”, u shpreh ajo.
Kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli tha se gjelbërimi i parkut të Paskuqanit është meritë e donoacioneve nga komunitetet dhe bizneset e zonës.
“Falë kontributit të biznesit dhe familjarëve, kemi shkuar 32 mijë pemë”, u shpreh Suli.
Ekoparku i liqenit të Paskuqanit përfshin 84 hektarë zonë të gjelbëruar me hapësira rekreative dhe perspektivë për investime të mëtejshme siç është amfiteatri veror.