Në 95 -vjetorin e themelimit të Shërbimit Pyjor Shqiptar, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Z. Blendi Klosi lancoi Planit Kombëtar të Gjelbërimit të Shqipërisë. Pasi përshëndeti dhe vlerësoi punën e qindra veteranëve dhe inxhinierëve të pyjeve ndër vite ministri Klosi tha se prej ditës së sotme do të fillonte zbatimin e mbjelljes së 20 milionë e 200 mijë pemëve deri në vitin 2020 si një përpjekje për të zhbërë dëmin e 27 viteve të fundit. “Në shenjë vlerësimi për profesionin dhe misionin tuaj, përvjetori i themelimit të shërbimit pyjor, ishte dita më simbolike nga ku mund të lançonim shpalljen e Planit Kombëtar të Gjelbërimit të Shqipërisë. 20 milion e 200 mijë pemë është angazhimi për t’u përmbyllur deri në 2020”.
Më tej ministri Klosi prezantoi në detaje zbatimin e Planit duke vënë theksin në detyrimet e biznesit. “Nga inspektimi i deritanishëm i bizneseve, rezulton që duhet t’i kthejnë mjedisit shqiptar plot 6 milion e 700 mijë pemë. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë amnisti. Kompanitë, sipërmarrjet që kanë fituar duke dëmtuar mjedisin dhe që nuk e kanë shlyer këtë dëm, do t’i kthehen zë për zë, zbatimit të asaj kontrate që kanë me shtetin shqiptar, pra lejen mjedisore që i detyron të mbjellin pemë.”- tha ministri Klosi.
Një tjetër linjë e zbatimit të Planit Kombëtar për Gjelbërimin e Shqipërisë do të realizohet nëpërmjet bashkëpunimit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me Ministrinë e Bujqësisë.”Kemi konkretizuar me Ministrinë e Bujqësisë, Manualin e Procedurës së Granteve, të orientuar tërësisht nga pyllëzimi si dhe kemi konkluduar që skemat e financimit për fermerët privatë të shkojnë për krijimin dhe zgjerimin e plantacioneve me ullishta dhe mbjelljen e druve frutorë”, – tha ministri Klosi duke shtuar se në sajë të projektit të shërbimeve mjedisore krahas mbjelljes së pemëve do të vijojë edhe me hartimin e Inventarit Kombëtar të Pyjeve edhe regjistrimin e Fondit pyjor e kullosor
Kreu i Turizmit dhe Mjedisit tha gjithashtu se pjesë e planit kombëtar do të jenë edhe nismat për Kurorat e gjelbra të Shkollave, bashkë me kurorat e gjelbra të qyteteve që çdo bashki në mbarë vendin duhet të krijojë. Në fund të fjalës së tij, ministri Klosi lançoi edhe aksionin e madh kombëtar të mbjelljes së 550 mijë pemëve. “Koha më e mirë për të mbjellë pemë ishte para 20 vjetësh. Koha e dytë më e mirë është tani. Thënë këtë, unë dua të lançoj nga këtu fillimin e zbatimit të këtij plani kombëtar. Pas aksioneve të deritanishme në qarqe, mesi i shkurtit do të shënojë fillimin e aksioneve kombëtare të përvitshme të gjelbërimit. Në 550 vjetorin e Skënderbeut, në tre ditët e mesit të shkurtit do të mbjellim 550 mijë pemë”- mbylli fjalën e tij ministri Klosi.
E pranishme në këtë aktivitet ZvKryeministrja Znj. Senida Mesi, nënvizoi faktin se kjo është një datë historike dhe me simbolikë të veçantë, e cila duhet t’i shërbejë çdo aktori të shoqërisë për të reflektuar më thellë. “Ky reflektim, shkon paralel gjithashtu edhe me planin ambicioz të Qeverisë Shqiptare për realizimin e mbjelljes së 20 milion e 200 mijë pemëve deri në vitin 2020-të, duke e shndërruar në një aksion me pjesëmarrje të gjerë në shkallë kombëtare, i cili do të përkthehet pa diskutim në një kontribut të qenësishëm“- tha ndër të tjera Znj. Mesi.
Nga ana e tij, Zvministri i Bujqësisë Dhimo Kote garantoi mbështetjen e plotë të ministrisë së Bujqësisë në zbatimin e plotë të planit për mbjelljen e 20 milionë e 200 mijë pemëve deri në vitin 2020.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ambasadori i Suedisë në Tiranë, z. Johan Ndisi i cili në fjalën e tij, tregoi eksperiencën e vendit të tij që falë politikave mjedisore ia doli të ketë pyjet dhe mjedisin e ditëve të sotme .
Në fund të takimit u vlerësuan me çertifikata mirënjohjeje disa prej veteranëve të shërbimit pyjor, inxhinerë dhe akademikë të cilët për vite të tëra kanë dhënë kontributin e tyre të vyer në shtimin dhe mbrojtjen e pyjeve. Teksa vlerësoheshin për këtë mirënjohje, mesazhi i tyre shkonte në mbështetje të Planit Kombëtar të Gjelbërimit të Shqipërisë dhe në ruatjen e kësaj pasurie të çmuar të vendit tonë.