Në ditën e dytë të pemëve, aktivizim masiv social 2-ditor në të gjithë vendin, ministri Klosi u ndal në Maliq, ku bashkë me nxënës, përfaqësues të trupave diplomatike, punonjës të zonave të mbrojtura, bashkisë Maliq, prefekturës dhe strukturave të tjera të mjedisit nisen mbjelljet e mbi 800 mijë pemëve gështenjë dhe arrë, për krijimin e pyllit social të zonës. Pemë frutore, që i shërbejnë komunitetit, bujqësisë, punësimit dhe zhvillimit të ekonomisë. “Sot është data 2 mars, është dita kur ne kemi shpallur fushatën “Krijo Oksigjenin tënd” dhe së bashku me kaq shumë të rinj me përfaqësues të institucioneve të mjedisit dhe me prezencën e trupit diplomatik, mbjellim 800 mijë pemë duke realizuar detyrimin që ka karshi investimit që ka bërë në hidrocentralin e Devollit, duke i dhënë komunitetit ndihmesë shumë të madhe”, tha ministri Klosi. Ai theksoi se fushata #krijoO2tend ka për qëllim jo vetëm gjelbërimin e Shqipërisë, por veçanërisht shtimin e të mirave që vijnë nga mbjellja e pemëve frutore, për komunitetin. Pra, të jenë pemë si këto që po mbjellim sot, arra dhe gështenja që do të prodhojnë për 3-4 vjet një ekonomi për njerëzit që do t’i mirëmbajnë.