Font Resize
Postuar më: 09/09/2022

Sezoni i ardhshëm turistik me rregulla të posaçme për turizmin detar, Kumbaro: Do të rritet edhe sipërfaqja e plazheve publike

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka njoftuar se kanë nisur që tani përgatitjet për
sezonin e ardhshëm turistik, në mënyrë që i gjithë procesi për vitin 2023 të mbyllet brenda këtij viti. Në
një takim të parë me kryetarët e bashkive bregdetare, prefektët, Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe
AZHT, Kumbaro ka listuar prioritetet për vitin tjetër, duke nisur nga rritja e sipërfaqes minimale të
detyrueshme ligjore të plazheve publike.
“Kemi pasur një sezon të mbarë për nga numri i vizitorëve të huaj, që deri në fund të muajit gusht kanë
qenë 5,6 milionë, duke tejkaluar jo vetëm vitin 2021 por edhe se viti 2019. Megjithëse vitin e kaluar e
nisëm procesin e ndarjes së plazheve më herët se çdo vit, duhet sërish ta përshpejtojmë. Thirrja për
aplikim për marrjen ne menaxhim të stacioneve të plazhit për vitin e ardhshëm, duhet të jetë brenda
muajit nëntor. Gjithashtu sipërfaqja minimale e detyrueshme ligjore në çdo bashki, që prej disa vitesh
është 20%, do të rritet për vitin tjetër. Për këtë do të ndërhyjmë në VKM”, është shprehur ndër të tjera
Kumbaro.

Në takimin e zhvilluar është përcaktuar edhe certifikimi i operatorëve turistikë detarë në përputhje me
legjislacionin në fuqi, caktimin e pikave të ankorimit të mjeteve lundruese, përcaktimi i qartë i zonave ku
lejohet muzika pa limit dhe hartimi i planit të zhurmave nga çdo bashki.
“Përveç punës me hartat e plazheve, çdo bashki duhet të nisë që tani komunikimin publik, në mënyrë që
të informohen të gjitha subjektet mbi datat e aplikimeve. Sistemi do të hapet vetëm një herë, sepse
është mënyra e vetme për të shmangur konfliktet e mundshme. Parcelat që nuk do të merren për
administrim nga privati, menjëherë do të kalojnë si parcela publike. Kontraktimi i vrojtuesve të plazhit
është kusht i panegociueshëm, sikundër miratimi në AZHT i strukturave “beach bar” dhe shlyerja e
detyrimeve tatimore të subjekeve”, është shprehur Kumbaro.
Kryetarët e bashkive kanë vlerësuar procesin e pastrimit në vijën bregdetare, që këtë vit u mbështet nga
Agjencia Kombëtare e Bregdetit me operator shtesë në Himarë, Sarandë, Durrës dhe Kavajë duke
mbështetur edhe propozimin për rritjen e sipërfaqes së plazheve publike.
Sipas të dhënave të fundit, numri i vizitorëve të huaj nga janari deri në gusht ka qenë 5,6 milionë, rreth
1,3 milionë më shumë se viti i kaluar.

  

  •