Në mes të vargut të gjatë makinave që hynin nga Kosova në pikën kufitare të Morinit 200 të rinj të projektit Smile Albania nisën pastrimin e zonës në të dyja anët e kufirit. Në krah të tyre ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi shoqëruar nga kryetari i bashkisë Kukës, Bashkim Shehu dhe përfaqësues të komunës së Prizrenit. Të gjithë në një aksion të përbashkët pastrimi të cilin ministri Klosi e cilësoi jo vetëm simbolik, por edhe të nevojshëm në këto ditë kur janë të shumtë pushuesit kosovarë dhe të huaj që kalojnë në këtë pikë kufitare.
Ministri Klosi siguroi se mikpritja për pushuesit nga Kosova do të vazhdojë edhe gjatë muajit shtator ndërsa apeloi pushtetin lokal në të dyja anët e kufirit për të ndihmuar në mirëmenaxhimin e mjedisit. Duke komentuar statistikat e hyrjes së pushuesëve në pikën e Morinit, ku vetëm gjatë ditës së sotme pritet të hyjnë në këtë pikë kufitare 70 mijë pushues, ministri Klosi u shpreh se pushuesit qe kalojnë pikën e Morinit duhet të gjejnë jo vetëm buzëqeshjen e mikpritjes por edhe një pastërti shumë të nevojshme në të dyja anët e kufirit. “Shqipëria, pa dyshim, edhe në këtë vit, do të kalojë numrin e 5.5 milionë turistëve të huaj dhe po t’i shtojmë edhe turistët shqiptarë në shifra që kthehen në 6 milionë turistë që kanë shfrytëzuar bregdetin dhe pasuritë tona natyrore.”- shtoi ministri Klosi
Ministri Klosi theksoi gjithashtu se ka ardhur koha që të dyja anët e bjeshkëve të trajtohen me projekte rajonale mjedisore dhe turistike për zgjidhjen e problematikave dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Nga ana e tij kryetari i bashkisë Kukës, Bashkim Shehu, u bëri thirrje banorëve të Kukësit dhe dy ministrive të linjës, në Shqipëri e Kosovë, për të kontribuar sa më shumë për mjedisin në Kukës.
Nga të rinjtë e Smile Albania ministri Klosi kërkoi që të vazhdojnë si në ditën e parë që të mirëpresin me buzëqeshje dhe mjedis të pastër turistët e huaj. Rreth 200 të rinj të projektit Smile Albania nga Kukësi, Shkodra, Lezha, Durrësi e Tirana u mblodhën në pikën kufitare të Morinit për të pastruar dy anët e kufirit deri në afërsi të liqenit. Në këtë aksion të rinjtë u mbështetën nga punonjës të bashkisë së Kukësit dhe komunës së Prizrenit.