Font Resize
Postuar më: 14/08/2019

“Verë dhe venë” – festa lokale mblodhi qindra turistë të huaj në shëtitoren e Golemit

Verë

“Verë dhe venë” – festa lokale në Golem mblodhi bashkë dhjetra kantina të zonës së Shqipërisë së mesme dhe qindra turistë të cilët degustuan shijen e verës shqiptare. I pranishëm në këtë festë, ministri i Turizmit dhe i Mjedisit,  Blendi Klosi tha se të tilla aktivitete tregojnë se në Shqipëri mund të bëhet turizëm potencial, që prodhon ekonomi, para e punësim, por edhe oferta të ndryshme turistike. Ministri Klosi apeloi tur operatorët që të shtojnë ofertën turistike duke përfshirë të gjitha festat lokale në paketat e tyre për turistët e huaj.

Pasi vlerësoi mirëadministrimin e sezonit veror nga bashkitë Kavajë dhe Durrës, ministri Klosi u kërkoi drejtuesve lokalë që të shndërrojnë këto festa në traditë. Festat lokale janë mundësi e mirë e prezantimit e produktit shqiptar te turistët e huaj, por edhe  një ofertë e shtuar për ta. Kantinat e shumta të ngritura në zonën e Durrësit dhe të Kavajës përfaqësojnë një agroturizëm, dhe ky biznes do të jetë e ardhmja e turizmit në këtë zonë.  Ministri Klosi tha se këto biznese janë gjithashtu dëshmi e suksesit të programit të qeverisë për agroturizmin.

Kryebashkiakja e Durrësit theksoi se këto festa janë nisma që bëjnë ndryshimin vit pas viti në mënyrën sesi kemi zgjedhur të bëjmë turizëm në vendin tonë. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Kavajës u shpreh se kjo festë gjeneron pozitivitet te turistët ndaj do të mbështetet nga kjo bashki edhe në vitet e ardhshme.

“Verë dhe Venë Fest ”e shndërroi pedonalen e Golemit në një hapësirë festive duke tërhequr turistët e shumtë që pushojnë në këtë zonë. Kantinat prezantuan produktet më të mira, të cilat u vlerësuan nga turistët e huaj, të surprizuar nga larmia e etiketave shqiptare dhe cilësia e verës së ofruar.

  •