Postuar më: 11/12/2024

Njoftim mbi thirrjen për mbështetje financiare të projekteve në turizëm për vitin 2025

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, shpall thirrjen për përfitimin e mbështetjes financiare të projekteve në fushën e turizmit për vitin buxhetor 2025, të paraqitura nga persona fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj, privatë ose publikë, të cilët kanë në objekt të veprimtarisë së tyre turizmin, në funksion të mbështetjes së tematikës “Promovimin e destinacioneve dhe zhvillimi i produkteve turistike në mbështetje të ofertës turistike për vitin 2025”

Thirrja synon zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëvjetor si dhe promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj, promovimin e destinacioneve, produkteve dhe diversifikimin e ofertës turistike për zhvillimin e turizmit malor, natyror, kulturor, tradicional, kulinar, ekoturizmit, turizmit nostalgjik, turizmit të aventurës etj., gjithashtu edhe në mbështetje të veprimtarive të sezonit turistik për vitin 2025.

Thirrja do të qëndrojë e hapur nga data 11 Dhjetor 2024 deri më datë 06 Janar 2025. Projektet duhet të realizohen brenda vitit buxhetor, nga data 01.02.2025 deri më 15.11.2025.

Atraksionet Turistike prezantohen dhe lidhen me një sërë tiparesh dalluese materiale, intelektuale dhe emocionale të një shoqërie që përfshin trashëgiminë historike dhe zonat kulturore, gastronominë, letërsinë, industritë krijuese dhe kulturat e gjalla me stilin e tyre të jetesës, sistemet e vlerave, besimet dhe traditat.

Promovimi i destinacioneve turistike, edukimit dhe vlerave të veçanta lokale nëpërmjet zhvillimit të eventeve tradicionale dhe inovative të aktivitetit shpirtëror njerëzor, nxit dhe motivon pjesëmarrjen aktive të turistëve në përvojat shqiptare, atraksionet dhe potencialet e prekshme dhe të paprekshme të destinacioneve turistike.

 

Lutemi gjeni bashkangjitur : Proçedurat dhe Formularin e Aplikimit